Bajrami | Do të performojmë pozitivisht për ta marrë më të mirën nga kjo ndeshje - SC GJILANI

Bajrami | Do të performojmë pozitivisht për ta marrë më të mirën nga kjo ndeshje

Ndihmëstrajneri i skuadrës, Muharrem Bajrami është shfaqur në konferencën për media para gazetarëve në prag të duelit kampional ndaj rivalit lokal FC Drita.

Bajrami ka folur në lidhje me përgatitjet të cilat i ka zhvilluar ekipi për këtë ndeshje, ndërkohë që mbetet i bindur për performancën të cilën pritet ta ketë grupi për këtë ballafaqim.

“Është kënaqësia ime të jem pjesë e këtij derbi, pjesë e ndeshjes më të përfolur në gjithë trevat shqiptare, pasi që e kam ndjekur edhe më parë këtë përballje dhe e di se sa i rëndësishëm është, sidomos edhe për tifozët. Jemi të vetëdishëm për ecurinë e rivalit të nesërm dhe potencialit që ka brenda skuadrës me mjaft futbollist cilësor, por ne kemi patur kohën e mjaftueshme për ta përgatitur ndeshjen në mënyrën më të mirë duke e analizuar kundërshtarin për pikat më të forta dhe ato më të dobëta. Ne jemi të bindur për kualitetet që kemi gjithashtu dhe me bindje e them që do të performojmë pozitivisht për ta marrë më të mirën nga kjo ndeshje”.

Për “kuqebardhët” objektivi nuk ndryshon, pavarësisht kundërshtarit dhe forcën që posedon për këtë ndeshje.

“Objektivi ynë si në çdo ndeshje nuk ndryshon edhe pse përballë kemi një ekip cilësore. Por, ne kemi gjithë kualitetin e duhur dhe potencialin për të mposhtur çdo kundërshtar. Nëse nuk e besojmë këtë gjë, nuk duhet të jemi këtu. Presim një ndeshje të luftuar, ashtu siç kanë qenë edhe ndeshjet e shkuara. Detajet e vogla mund ta vendosin këtë ndeshje”.

Skuadra ka performuar mirë në ndeshjet e fundit dhe kjo shton besimin te stafi teknik që formën e mirë do ta ndjekin edhe në duelin e radhës.

“Vijmë nga dy paraqitje shumë të mira, nga fitorja në kupë dhe pika e kthesës në kryeqytet ndaj Prishtinës, prandaj edhe nuk duhet të kemi presion. Kemi futbollist me eksperiencë që mund ta bartin barrën dhe jemi të bindur që ky ekip meriton të jetë shumë më lartë në klasifikim”.

Në fund Bajrami ka folur edhe për tifozët, teksa shpreson që në një të ardhme të afërt ky derbi të zhvillohet në kushte dhe rrethana të tjera.

“Tifozët janë bukuria e futbollit. Tifozët e dy klubeve meritojnë që këtë ndeshje ta ndjekin në kushte më të favorshme. Në këtë ndeshje ne do të kemi tifozët tanë prezent, për të cilët shpresojmë të jenë në numër dhe të zëshëm në mbështetje të ekipit. Shpresojmë që shumë shpejtë derbi do ta ketë hijeshinë e vet në kushte dhe rrethena të tjera”.

Pjesa e dytë e derbit për këtë sezonë ndërmjet Gjilanit dhe Dritës zhvillohet këtë të diel (15 dhjetor) në stadiumin ndihmës në Gjilan me fillim nga ora 13:00.