Debatik Curri është shfaqur edhe njëherë tjetër para mediave në konferencën e thirrur në prag të duelit kampional ndaj Dukagjinit.
Shefi i shtabit teknik vuri në pah rëndësinë e luftës për çdo top në fushën e lojës, derisa potencoi që skuadra e tij do ta bëj maksimumin për ta fituar ndeshjen e së martes.
Ndeshja ndaj Ballkanit?!
“Më gëzon fakti që edhe në këtë ndeshje patëm një vazhdimësi të asaj të parës. Treguam seriozitet, pa marrë parasysh kundërshtarin; e sulmuam, u mbrojtëm mjaft mirë. Por, normalisht, pësimi i golit në minutat e fundit është pjesë e lojës. Derisa arbitri vazhdon, aq sa ka minuta, loja vazhdon”.

“Ndonjëherë loja nuk mbaron në minutën e 90-të, por në minutën e 95-të apo edhe të 100-të”.
Leksionet nga ndeshja e fundit?
“Shpresoj shumë që pas çdo loje të marrim një mësim — se si nuk duhet të sillemi në fushën e lojës. Por, normalisht, dikush duhet të gabojë që të pësojme golin”.
Mungesat?
“Unë ta kam thënë edhe më herët, në një intervistë tjetër, që nuk jam ai tip që ankohem për fondin e futbollistëve. Normalisht, e kam ditur edhe para se të vija këtu se çfarë fondi dhe çfarë futbollistësh ka Gjilani”.

“Që kur kam ardhur, ka pasur disa lojtarë të dëmtuar, të cilët janë shumë të rëndësishëm për grupin. Këto dëmtime na penalizojnë, sepse nuk kemi mundësi të bëjmë shumë rotacione në ekip. Megjithatë, po shohim nga ndeshja në ndeshje, nëse ndonjëri prej tyre është më i lodhur, por prapëseprapë do të mbështetemi te futbollistët që i kanë luajtur këto dy ndeshje të fundit”.
Ndeshja ndaj Dukagjinit?
“Besoj që në të ardhmen duhet ta kuptojmë të gjithë se çdo situatë, çdo top i fituar apo i humbur, ka rëndësi për ekipin. Çdo gjë duhet bërë me synimin për të fituar tri pikët”.
