Debatik Curri dhe të besuarit e tij e kanë të qartë se ndeshjet e radhës në kampionat luhen për objektivat e sezonit, ndaj fokusi dhe angazhimi maksimal nuk do të mungojë.
Në konferencën për shtyp shefi i shtabit teknik ka folur për duelin e fundjavës ndaj Malishevës, teksa ka bërë thirrje për të qenë të vëmendshëm, pasi që bardhekaltërit janë skuadër me shumë kualitet dhe potencial.
“Jemi në prag të një ndeshje shumë të rëndësishme. Kemi një kundërshtar të fortë për shkak që ka bërë shumë mirë në këtë kampionat dhe sidomos në ndeshjet e fundit. Na pret një ndeshje e vështirë, mirëpo ne duhet ndjekur vazhdimësinë, sidomos pas një fitore të rëndësishme siç ishte ajo ndaj Prishtinës. Nuk kthejmë kokën prapa. Kërkojmë vazhdimësi, fokus, përqendrim maksimal dhe luftë për të arritur objektivin e klubit”.

Duke folur për atmosferën brenda dhomave të zhveshjes, Curri foli edhe për futbollistët të cilët nuk do të jenë në dispozicion për këtë sfidë.
“Atmosfera brenda dhomave të zhveshjes është shumë e mirë dhe sidomos kur vjen nga një fitore. Këtë frymë pozitive jemi munduar ta përcjellim gjatë gjithë javës dhe do të tentojmë ta implementojmë edhe në ndeshjen e së shtunës. Për këtë përballje nuk do të jenë të gatshëm Hamdi Namani dhe Edison Kqiku për shkak të lëndimeve, ndërkohë që do të rikthehet në ekip Senad Jarovic, i cili na mungoi në ndeshjen e shkuar për shkak të kartonëve të verdhë”.
Dueli ndërmjet Gjilanit dhe Malishevës zhvillohet të shtunën me fillim nga ora 13:00 në stadiumin ndihmës në Gjilan. Në dy duelet e para, secila nga skuadrat kishte marrë nga një fitore.
