Gjilani 2-2 Ferizaj | AlbiMall Superliga - SC GJILANI

Gjilani 2-2 Ferizaj | AlbiMall Superliga

Skuadra shpërdoron një rast të artë për të arkëtuar pikët e plota, derisa ndëshkohet në minutën e 100-të në duelin ndaj Ferizajt në shtëpi (2-2).

  • Jarovic vazhdon me shënimin e golave
  • Barazimi i katërt kampional
  • Ndeshja e pestë pa fitore në shtëpi
  • Sërish minutat shtesë vendimtare

Një tjetër ndeshje e shpërdoruar në minutat e fundit, derisa ekipi lëshon mundësi ideale për të vazhduar ritmin e fitoreve. Senad Jarovic hapi serinë e golave në minutën e 20-të të ndeshjes, derisa u shërbye bukur brenda zonës nga Edi Bsa (1-0).

Në minutën e katërt shtesë në fraksionin e parë, Jakup Berisha nga radhët e mysafirëve u gjend bukur brenda zonës dhe me një goditje të saktë realizoi për ta barazuar rezultatin (1-1).

Në pjesën e dytë, të besuarit e Debatik Currit ishin më kërkues, derisa goli erdhi sërish nga Jarovic, këtë herë me kokë në minutën e 62, pasi u shërbye bukur nga Armend Thaqi.

Mundësi ideale për ta mbyllur ndeshjen kishin Jarovic dhe Basa, mirëpo goditjet e dy futbollistëve u pritën nga ‘gardiani’ Petrit Terziu.

Fundi i ndeshjes ishte fatal sërish për ‘kuqebardhët’ derisa Jakup Berisha realizoi nga penaltia për ta barazuar rezultatin (2-2). Paraprakisht mbrojtësi Mario Zebic kishte ndërhyrë në mënyrë të palejuar brenda zonës dhe njëherit edhe u përjashtua nga loja.

Në kuadër të xhiros së 15-të, Gjilani luan në udhëtim te Drenica.

Të dhënat

SC Gjilani – FC Ferizaj 2-2 (1-1)
Stadiumi ndihmës në Gjilan
Gjyqtar: 
Bardh Ajeti, Lumturie Muhadri, Altin Zhegrova, Valon Bajgora, Mentor Ajeti (VAR),  Alban Ejupi (AVAR)
Golashënues: Jarovic 20′ 62′ | Berisha 45+4′, 90+10′ (pen.)
Përbërja: Laroshi, Thaqi (C), Zebic, Krivanjeva (57′ Adili), Ibrahimi, Boshnjaku, Totre (45′ Bilali), Morina (69′ Taipi), Prapashtica, Basa (69′ Bilalli), Jarovic. Trajner: Debatik Curri