Skuadra e SC Gjilanit ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat, ku do të përballet në udhëtim me FC Ferizajn. Pavarësisht humbjes së fundit në shtëpi, atmosfera brenda grupit mbetet e mirë dhe lojtarët po tregojnë përqendrim maksimal për të reaguar menjëherë në fushë.
- Atmosfera pozitive, grupi i gatshëm
- Redi Kasa dhe Lorik Boshnjaku të plotë në seancat stërvitore
- Edison Kqiku dhe Shqiprim Taipi vazhdojnë me planin e rikuperimit
Trajneri dhe stafi teknik kanë në dispozicion thuajse gjithë kontingjentin e lojtarëve, me përjashtim të dy mungesave të rëndësishme. Kapiteni Edison Kqiku dhe mesfushori Shqiprim Taipi po vijojnë të stërviten të diferencuar nga pjesa tjetër e skuadrës, si pasojë e shqetësimeve fizike që ende i pengojnë të jenë në ritmin e plotë të grupit.
Gjithsesi, pjesa tjetër e skuadrës është në gjendje optimale dhe seancat e fundit stërvitore kanë treguar përkushtim dhe dëshirë të lartë për të marrë rezultat pozitiv në udhëtimin e radhës. Objektivi i “kuqebardhëve” është që të shfrytëzojnë këtë ndeshje për të rikthyer sigurinë dhe moralin pas disfatës së fundit.
Deri në fundjavë ekipi do t’i zhvillojë edhe dy seanca stërvitore para ndeshjes ndaj FC Ferizajt.