Raporti | Gjilani 4:1 Liria - SC GJILANI

Raporti | Gjilani 4:1 Liria

Fitore në shtëpi për të kaluar rundin e parë në Kupën e Kosovës, derisa përballë skuadra kishte Lirinë, të cilën e mposhti me rezultat bindës (4-1).

Ndeshja nuk nisi mirë, pasi që në minutën e tretë të lojës pas një goditje dënimi, topi u devijua nga muri i mbrojtjes dhe përfundoi në rrjetën e Kenan Haxhihamzës (0-1).

Megjithë, skuadra nuk u zmbraps dhe vargoi raste të shumta për shënim. Yll Ibrahimi dhe Oltion Bilalli patën mundësi të pastërta për shënim, por goditjet e tyre u ndalën nga ‘gardiani’ i disponuar për lojë Arijanit Kuqi.

Megjithatë, jo të gjitha arriti t’i ndal Kuqi, pasi që në minutën e 43-të të ndeshjes, Marko Roganovic u gjend më së miri brenda zonës dhe qëlloi topin drejt portës për ta barazuar rezultatin (1-1).

Me shifra ta barabarta dy skuadrat vizituan dhomat e zhveshjes për të na rezervuar spektakël golash në pjesën e dytë.

Pas një aksioni individual ishte Kushtrim Shabani ai i cili e dërgoi topin drejt rrjetës, për t’i kaluar vendasit në epërsi për herë të parë në këtë sfidë (2-1).

Pavarësisht golit të realizuar, të besuarit e Ardian Nuhiut vazhduan sulmet në drejtim të portës së miqve dhe gjetën sërish rrugën drejt golit.

Pas disa tentimeve, ishte Oltion Bilalli që e shtyu topin drejt rrjetës për ta ngritur epërsinë (3-1).

‘Qershinë mbi torte’ e servoi mbrojtësi i majtë Yll Ibrahimi, i cili pasi bashkëveproi me Drin Ymeri arriti të qëllonte saktë drejt portës dhe të realizoj golin e parë me fanellën ‘kuqebardh’.

Njëherit ky ishte edhe goli i fundit në ndeshje, pavarësisht se skuadra krijoi edhe raste të tjera për shënim.

Një hap tjetër para për ekipin në garat e Kupës, derisa në javën e ardhshme mëson kundërshtarin e radhës.

FT: SC Gjilani 4-1 FC Liria
Golashënues: Marko Roganovic 43′, Kushtrim Shabani 51′, Oltion Bilalli 75′, Yll Ibrahimi 81′
Të ndëshkuar: Sabit Bilali, Robert Rrahmani
Stadiumi ndihmës në Gjilan

Përbërja: Haxhihamza, Thaqi, Roganovic, Ramadani, Ibrahimi (82′ Martinaga), Shabani, Bilali (45′ Prapashtica), Rrahmani, Bilalli (78′ Krasniqi), Basa (70′ Morina), Jarovic (78′ Ymeri). Kryetrajner: Ardian Nuhiu.