Ekipi nis mbarë stinorin pranveror të kampionatit duke shënuar fitore në udhëtim te skuadra e Llapit (0-1).
Skuadra nisi mirë ndeshjen duke rrezikuar seriozisht në minutën e 14-të të ndeshjes përmes kapitenit Armend Thaqi, i cili provoi të realizonte nga një goditje dënimi afër zonës, por që përfundoi mbi traversën e Marjan Coric.
Rast të mirë shënimi iu ofrua edhe Oltion Bilallit, i cili pasi u shërbye bukur nga Kushtrim Shabani gjuan me të djathtën, por pa shqetësim të madh për ‘gardianin’ Marjan Coric (14′).
Ndërkohë, rasti më i mirë për vendasit u tregua në minutën e 34-të të ndeshjes, derisa Blend Baftiu gjuan afër zonës, por gjeti të përgatitur portierin Kenan Haxhihamza, i cili e dëboi topin në fundore.
Haxhihamza intervenoi edhe në goditjen e Ardit Tahirit në minuten e 38-të dhe të Valmir Veliut në minutën e 41-të, por pa ndonjë telashe.
Atë të cilën nuk arritën ta bënin në pjesën e parë, e bënë në fraksionin e dytë të lojës. Pas një aksion model dhe kombinimeve fantastike ndërmjet Sabit Bilalit, Edi Basa-s dhe Senad Jarovic, topi përfundoi në rrjetën e Marjan Coric (62′).
Jarovic bëri pasimin e fundit te Bilali brenda zonës, i cili me instikt prej sulmuesi realizoi për ta zhbllokuar rezultatin (0-1).
Pavarësisht golit të realizuar, skuadra nuk ndaloi së kërkuari, derisa vargoi disa mundësi të pastërta për shënim. Oltion Bilalli pati mundësinë më të mirë për ta dyfishuar rezultatin, derisa u gjen i vetëm me Coric në minutën e 77-të të ndeshjes, por gjuajti pranë portës.
Mundësi të mirë për të realizuar pati edhe Matheus Alisson, por goditja e tij në minutën e 83-të përfundoi jashtë portës.
Vendasit provuan përmes Hamdi Namanit dhe Blendi Baftiut, mirëpo ‘gardiani’ Kenan Haxhihamza ishte i përgatitur në dy rastet.
Në fund ekipi mori një fitore tejet të vlefshëm në luftë për objektivin e këtij sezoni.
FC Llapi 0:1 SC Gjilani
Golashënues: Sabit Bilali 62′ [0-1]
Të ndëshkuar: Edi Basa, Besir Ramadani, Kenan Haxhihamza
Gjyqtarë: Genc Nuza, Besnik Morina, Gëzim Mehmeti, Gramos Shala, Alban Shala (Var), Drilon Rexhepi (aVar)
Stadiumi: “Zahir Pajaziti” në Podujevë
Përbërja: Haxhihamza, Thaqi, Roganovic, Ramadani, Ibrahimi, Shabani (Bilali 54′), Taipi, Morina (Alisson 54′), Bilalli (Arago 80′), Basa (Kqiku 80′) , Jarovic (Aganspahic 63′). Kryetrajner: Ardian Nuhiu.