Raporti | Prishtina 2:2 Gjilani - SC GJILANI

Raporti | Prishtina 2:2 Gjilani

Barazim në frymën e fundit, me ekipin që nuk u dorëzua për as edhe një moment të vetëm, duke krijuar mundësi të pafundme shënimi në përballje ndaj Prishtinës në kryeqytet (2-2).

Ndeshjen më mirë e nisën me vendasit që rrezikuan në minutën e pestë të ndeshjes përmes Drilon Islami, mirëpo goditjen e kapitenit të kryeqytetasve e priti me shumë sukses ‘gardiani’ Kenan Haxhihamza.

“Kuqebardhët” realizuan në mundësinë e parë serioze, derisa sulmuesi Senad Jarovic e dërgoi topin drejt rrjetës në minutën e 28-të të ndeshjes, pasi që paraprakisht u shërbye nga anësorja nga Oltion Bilalli [0-1].

Megjithatë, epërsia u neutralizua gati dhjetë minuta më vonë, derisa Leutrim Kryeziu barazoi shifrat duke realizuar nga penaltia [1-1]. Akordimi i penaltisë erdhi pas një situate tejet të dyshimtë për pretendimet e luajtjes me dorë brenda zonës nga futbollisti Jarovic dhe atë vetëm pas konsultimit disa minutësh me sistemin VAR.

Goli nuk demoralizoi skuadrën e Ardian Nuhiut, teksa pesë minuta para fundit të pjesës së parë rrezikuan përmes Senad Jarovic, por goditja e sulmuesit u ndal nga portieri Ardit Nika.

Fraksioni i dytë i lojës nisi më mirë për grupin e kuq, derisa Ardit Nika ia mohoi golin e sigurt sulmuesit Senad Jarovic, i cili gjuajti në minutën e 54-të të ndeshjes pas harkimit të Armend Thaqit, por sërish mbeti pa fat.

Minutat në vazhdim ishin të rezervuar për vendasit të cilët rrezikuan me zëvendësuesin Sunday Akinbule dhe Leutrim Kryeziun, mirëpo goditjet e tyre u ndalën nga portieri Kenan Haxhihamza.

Megjithatë, kryeqytetasit gjetën golin e epërsisë në minutën e 83-të të ndeshjes përmes Leonat Vitisë. Mbrojtësi i qendrës u shkëput më së miri brenda zonës pas harkimit të Gentrit Salihut dhe me një goditje të sakt ndryshoi sërish rezultatin [2-1].

Pas golit, skuadra e Nuhiut u lëshua e gjitha në ofansivë dhe në minutën e katërt shtesë gjeti golin e barazimit. Kushtrim Shabani me qetësi maksimale brenda zonës gjuan me të majtën pas harkimit të Edi Basës dhe qëllon në rrjetën e Ardit Nikës [2-2].

Në minutat e mbetur ekipi provoi golin e radhës, mirëpo pa arritur ta gjejë atë, duke u detyruar ta mbyll ndeshjen me vetëm një pikë të marrë.

Ky ishte barazimi i gjashtë sezonal për skuadrën e cila shkon në kuotën e 18 pikëve dhe renditet në pozitën e gjashtë në klasifikim.

Në kuadër të xhiros së 17-të në Albi Mall Superligë, Gjilani do të ballafaqohet me Dritën.

 

FC Prishtina 2:2 SC Gjilani
Golashënues: Senad Jarovic 28′ [0-1], Leutrim Kryeziu pen. 36′ [1-1], Leonat Vitija 81′ [2-1], Kushtrim Shabani 90+4′ [2-2]
Të ndëshkuar: Edi Basa
Gjyqtarë: Genc Nuza, Edmond Zeqiri, Enis Bejtullahu, Isak Ceroviku, Dardan Çaka (VAR), Besnik Morina (aVAR)
Stadiumi: “Fadil Vokrri” në Prishtinë

Përbërja: Haxhihamza, Thaqi, Roganovic, Ramadani, Ibrahimi (90′ Prapashtica), Shabani ⚽, Bilali (75′ Morina), Rrahmani (83′ Ymeri), Bilalli, Basa 🟨, Jarovic ⚽. Kryetrajner: Ardian Nuhiu.