Ekspedita e Sport Club Gjilanit ka udhëtuar sot drejt Antalias së Turqisë, me ç’rast nga 17 janari deri më 30 janar do të zhvillojë fazën kryesore të përgatitjeve dimërore, në prag të vazhdimit të sezonit garues.
Gjatë qëndrimit në Turqi, ekipi do të përqendrohet maksimalisht në përgatitjen për sfidat që e presin në kampionat dhe Kupën e Kosovës në pjesën pranverore të kampionatit.
Gjithë futbollistët do të jenë në dispozicion të kryetrajnerit Debatik Curri nga dita e parë, përveç Yll Ibrahimit, i cili po vazhdon të stërvitet i diferencuar nga pjesa tjetër e grupit në procesin e rikuperimit.
Me ekipin kanë udhëtuar edhe tre futbollistët nga ekipi U21, Venis Luma, Ermal Sadiku dhe Elton Isufi. Gjithashtu, me ekipin është bashkuar edhe futbollisti Leonit Abazi.
Përveç seancave të rregullta stërvitore, fokusi kryesor do të jetë në ngritjen e nivelit të përgatitjes fizike përmes ngarkesave të planifikuara, ndërsa paralelisht do të punohet edhe në ndërtimin e lojës, aspektin tekniko-taktik dhe koordinimin e skuadrës, nën drejtimin e stafit teknik.
Në kuadër të kësaj faze përgatitore, kuqebardhët do të zhvillojnë gjithsej katër ndeshje kontrolluese në tokën turke. Ndeshja e parë do të luhet më 20 janar ndaj FC GKS Tychy nga Polonia, ndërsa më 24 janar Gjilani do të përballet me FC Aktobe nga Kazakistani. Më 27 janar, kuqebardhët do të matin forcat me FC Bunyodkor nga Uzbekistani, kurse cikli i ndeshjeve miqësore do të mbyllet më 29 janar ndaj FC Zimbru Chisinau nga Moldavia.
