Gjilani 3-0 Llapi | AlbiMall Superliga - SC GJILANI

Gjilani 3-0 Llapi | AlbiMall Superliga

Skuadra regjistron fitoren e dytë radhazi në kampionat dhe të tretën brenda javës, teksa triumfon bindshëm përballë Llapit në shtëpi (3-0).

  • Sabit Bilali dhe Mevlan Adili ia bëjnë sefte
  • Jarovic nuk e ndal festën e golave
  • Pikët e plota në shtëpi pas dy muajve
  • Vokli Laroshi në gjendje të mirë shëndetësore

Paraqitje fantastike e grupit që performancën e shndërron në goleadë në duel me Llapin. Gjithçka foli në dominimin e kuqebardhëve në këtë ndeshje nga fillimi deri në mbarim të ndeshjes, ani pse topi vetëm tre herë u përplas për portën kundërshtare.

Albin Prapashtica pati rastin e parë serioz në ndeshje qysh në minutën e parë, por goditja e tij shkoi mbi traversë. Pesë minuta më vonë një ndërhyrje e ashpër e futbollistit Alex Gnapi në portierin Vokli Laroshi u sinjalizua direkt me të kuq nga gjyqtari kryesor Egzon Daka.

Mundësi për të shënuar pati Senad Jarovic, derisa gjuajti mbi portë pasi u shërbye në mënyrë briliante brenda zonës nga Armend Thaqi.

Fraksioni i parë i ndeshjes përfundoi me rrjeta të heshtura, ndërsa spektakli ishte rezervuar për pjesën e dytë të lojës. Të besuarit e Debatik Currit realizuan qysh në aksionin e parë përmes Sabit Bilalit, i cili harkimin e Lorik Boshnjakut e konkretizoi me gol (1-0).

Vetëm dy minuta më pas, Albin Prapashtica pati një tjetër rast ideal për të shënuar, mirëpo goditjen e tij nga vija fatale e largoi futbollisti Arbër Bytyqi.

Në minutën e 57-të të ndeshjes erdhi edhe goli i dytë në ndeshje, derisa Mevlan Adili realizoi një super gol pas harkimit briliant nga Armend Thaqi (2-0).

Rastet për shënim nuk munguan edhe në vazhdim të ndeshjes, derisa Prapashtica, Thaqi dhe Jarovic patën mundësi të pastërta për të realizuar.

Megjithatë, golada nuk u ndal dhe në minutën e 87-të të ndeshjes realizoi edhe i zakonshmi Senad Jarovic, i cili e dërgoi topin drejt portës së Coric (3-0).

Kjo ishte fitorja e gjashtë sezonale për kuqebardhët, që tashmë ngriten në kuotën e 22 pikëve dhe shohin vetën gjithmonë e më afër objektivit.

Në kuadër të xhiros së radhës Gjilani luan ndaj Dritës.

 

Të dhënat

SC Gjilani – KF Llapi 3-0 (0-0)
Stadiumi sintetik në Gjilan
Gjyqtar: 
Egzon Dakaj, Fatlum Berisha, Gzim Mehmeti, Lirim Jashari, Burim Jahmurataj (VAR), Bujar Selimaj (AVAR)
Golashënues: Bilali 47′, Adili 57′, Jarovic 87
Përbërja: 
Laroshi (10′ Bllaca), Ar.Thaqi (C), Adili, As.Thaqi, Ibrahimi, Bilali, Taipi, Boshnjaku, Prapashtica (76′ Bilalli), Basa (90′ Kasa), Jarovic (90′ Aganspahic). Trajner: Debatik Curri.