Skuadra do të zhvillojë të marten më 20 Janar ndeshjen e parë kontrolluese në kuadër të fazës përgatitore dimërore në Antalia. Kuqebardhët do të përballen me skuadrën polake FC GKS Tychy në Asteria Sport Center, Antalia.
Takimi do të fillojë në ora 15:30 sipas kohës lokale në Turqi (13:30 Kosovë) dhe do të shërbejë si testi i parë për stafin teknik në këtë fazë përgatitore, ku fokusi kryesor mbetet rritja e ngarkesës fizike, vlerësimi i gjendjes së skuadrës dhe dhënia e minutave për të gjithë futbollistët.
Gjithë futbollistët do të jenë në dispozicion të kryetrajnerit Debatik Curri, përveç Yll Ibrahimit, i cili po vazhdon të stërvitet i diferencuar nga pjesa tjetër e grupit në procesin e rikuperimit.
GKS Tychy është një klub futbolli profesionist polak i vendosur në qytetin Tychy në Poloni. Klubi u themelua më 20 prill 1971 si Górniczy Klub Sportowy Tychy (Klubi Sportiv i Minatorëve Tychy) pas bashkimit të disa skuadrave lokale dhe ka një histori të gjatë si pjesëmarrës në ligat e futbollit polak.
Aktualisht, GKS Tychy luan në I liga, që është divizioni i dytë i futbollit në Poloni.
Ndeshja ndaj ekipit polak hap serinë e takimeve kontrolluese të Gjilanit në Antalia, ku kuqebardhët do të vazhdojnë përgatitjet për pjesën e dytë të sezonit.
