Ekipi mbyll edicionin në mënyrën më të mirë të mundshme duke triumfuar në shtëpi përballë Prishtinës së Re (3:2), në sfidën e fundit para publikut vendas.
- Armend Thaqi realizon golin e dhjetë sezonal
- Blerind Morina me kryvepër
- Senad Jarovic mbyll sezonin me gol
- Fund i një kampionati mes shumë peripetive
Skuadra ka përfunduar me fitore kampanjën 2025/26 në AlbiMall Superligën e Kosovës në futboll, derisa në shtëpi ka triumfuar përballë Prishtinës së Re, në një ndeshje ku pati shumë raste dhe gola të bukur.
Pas triumfit në ndeshjen derbi, motivi ishte prezent te futbollistët, të cilët pavarësisht që nuk arritën objektivin sezonal, mbyllën me sukses ndeshjen e fundit para publikut vendas.
Ndeshja nisi me raste të shumta për të besuarit e Debatik Currit, teksa qysh në minutën e 12-të të ndeshjes, Edi Basa provoi goditjen me kokë, të cilën e priti ‘gardiani’ Zigur Biqkaj.
Dy minuta më pas provoi edhe Robert Rrahmani, mirëpo pa sukses.
Ndeshja u zhbllokuar në minutën e 18-të, mirëpo nga mysafirët. Riol Rushiti me një gjuajtje të saktë nga jashtë zonës, arriti ta dërgonte topin drejt rrjetës së Agron Kolajt (0-1).
Menjëherë na aksionin e radhës provoi të shënonte Sabit Bilali, mirëpo sërish Biqkaj në vend. Në minutën e 34-të, ishte Biqkaj që ndërhyri ndaj Astrit Thaqit dhe pas rishikimit të VAR, gjyqtari Gramos Shala akordoi penalti. Nga rrethi i bardhë, Armend Thaqi barazoi rezultatin (1-1) dhe dërgoi në 10 numrin e golave personal këtë edicion.
“Kuqebardhët” gjetën golin e avantazhit në minutën e dytë shtesë në pjesën e parë, derisa Blerind Morina realizoi një kryvepër, duke dërguar topin në rrjetë (2-1).
Edhe në fraksionin e dytë të lojës ishin kuqebardhët të cilët diktuan tempon e lojës dhe krijuan raste për shënim. Edi Basa pati mundësinë më të mirë për të realizuar, derisa goditjen e tij e priti ‘gardiani’ udhëtues. Ndodhi kjo në minutën e 57-të të ndeshjes.
Mysafirët gjetën edhe njëherë rrugën drejt rrjetës, derisa Astrit Berisha e qëlloi cakun në minutën e 75-të të ndeshjes (2-2).
Dy minuta më pas, Robert Rrahmani u pengua në zonë nga Endrit Morina, teksa gjyqtari Gramos Shala akordoi sërish penalti për ekipin vendas.
Nga penaltia këtë herë gjuajti Senad Jarovic, i cili e dërgoi topin drejt rrjetës për rezultatin final të ndeshjes 3-2.
Gjilani mbyll edicionin 2025/26 në Superligë në pozitën e pestë të renditjes tabelare me 14 fitore, 9 barazime dhe 13 humbje. 47 gola të shënuar dhe 48 gola të pësuar.
Të dhënat
SC Gjilani – KF Prishtina e Re 3-2 (2-1)
Stadiumi ndihmës në Gjilan
Gjyqtar: Gramos Shala, Fatmir Sekiraqa, Altin Zhegrova, Eridon Podvorica, Valon Bajogra (VAR), Pashtrik Burrniku (AVAR)
Golashënues: Armend Thaqi (pen.) 34′, Blerind Morina 45+2′, Senad Jarovic (pen.) 78′ | Riol Rushiti 18′, Astrit Berisha 75′
Të ndëshkuar: –
Përbërja: Kolaj, Thaqi (C), Namani, Adili, Krivanjeva, Bilalli, Taipi, Bilali, Morina, Rrahmani, Basa. Trajner: Debatik Curri.
