Gjilani 3-0 Drenica | Albi Mall Superliga – Xhiro IX - SC GJILANI

Gjilani 3-0 Drenica | Albi Mall Superliga – Xhiro IX

Fitore bindëse përballë Drenicës në shtëpi që rikthen skuadrën në rrugën drejt objektivit dhe shton besimin për ndeshjet e radhës kampionale (3-0).

  • Armend Thaqi realizon golin e parë sezonal
  • Mevlan Zeka me dopietë hap librin e golave
  • Rikthehet nga lëndimi Arbër Potoku
  • Ndeshja e radhës ndaj Feronikeli ’74 sërish në shtëpi

Momente reflektimi për skuadrën që realizon fitoren më bindëse të fazës së parë kampionale, derisa triumfon përballë Drenicës në shtëpi (3-0).

Një ndeshje e dominuar fillim e mbarim nga të kuqebardhët, të cilët në këtë takim u drejtuan nga Blerim Bunjaku.

Iniciativa u konkretizua me gol në minutën e 21-të të ndeshjes, derisa Armend Thaqi zhbllokoi rezultatin nga pika e bardhë (1-0). Paraprakisht mbrojtësi Andi Veliqi kishte luajtuar me dorë brenda zonës duke ndalur harkimin e Yll Ibrahimit.

Mundësi tejet të mirë për të shënuar pati Arbër Potoku në minutën e 32-të të takimit, por goditja e fuqishme nga jashtë zonës u prit me shumë mund nga ‘gardiani’ Arion Ymeri, i cili e dëboi topin në fundore.

Rast ideal për të shënuar pati edhe Mevlan Zeka në minutën e 40-të të duelit, derisa u shërbye bukur brenda zonës nga Oltion Bilalli, por që goditja e tij shkoi fare pranë shtyllës pingule.

Fraksioni i parë i lojës nuk prodhoi më gola, derisa ai i dyti nisi me mundësi tejet të mirë për mysafirët që ta barazojnë rezultatin. Aurel Limani gjuajti krejtësisht lartë portës nga penaltia në minutën e 50-të. Paraprakisht futbollisti Lorik Boshnjaku e pengoi brenda zonës Gjergji Koten.

Pas disa mundësive të pashfrytëzuara golin e dytë në ndeshje dhe të parin personal në këtë kampionat e gjeti Mevlan Zeka në minutën e 64-të të ndeshjes (2-0). Sulmuesi gjakovar e shfrytëzoi në maksimum një pasim brenda zonës nga Oltion Bilalli dhe e dërgoi topin drejt rrjetës.

Në pjesën e parë të lojës mundësi të mira patën kapiteni Armend Thaqi, Lorik Boshnjaku e Elton Isufi, mirëpo gjuajtjet e tyre shkuan jashtë cakut.

Zeka realizoi edhe njëherë tjetër, teksa këtë herë u shërbye nga Arjol Bllaca dhe në minutën e 85-të të ndeshjes i dërgoi shifrat në 3-0.

Kjo ishte fitorja e katërt kampionale në nëntë javët e para, derisa në vikend Feronikeli ’74 do jetë kundërshtari i radhës sërish në shtëpi.

Ndeshja e radhës

Gjilani – Feronikeli ’74

Stadiumi ndihmës në Gjilan | 18 tetor 2026 | 18:00

Gjilani – Drenica 3-0 (1-0)
Stadiumi ndihmës në Gjilan
Gjyqtar: 
Erdall Zasella, Bekim Rama, Gzim Mehmeti, Ilir Mehmeti, Genc Nuza (VAR), Granit Hyseni (AVAR)
Përbërja: 
Marijan Coric, Armend Thaqi (C), Ardian Limani, Arbër Potoku, Granit Jashari, Yll Ibrahimi, Lorik Boshnjaku, Hamdi Namani, Robert Rrahmani, Oltion Bilalli, Mevlan Zeka. Blerim Bunjaku – Kryetrajner.

App logo