Sport Club Gjilani njofton opinionin publik se ka arritur marrëveshje me trajnerin Zekirija Ramadani, i cili do të udhëheqë shtabin teknik të skuadrës sonë deri në vitin 2028.
Rikthimi i Ramadanit në Gjilan përfaqëson vazhdimësinë e një bashkëpunimi të njohur, duke pasur parasysh përvojën e tij të mëparshme në drejtimin e skuadrës kuqe e bardhë. Në edicionin 2022/23, nën drejtimin e tij, Gjilani siguroi pjesëmarrjen në garat evropiane dhe arriti deri në finalen e Kupës së Republikës së Kosovës.
Me një karrierë të pasur dhe një bagazh të rëndësishëm suksesesh, Zekirija Ramadani vjen te Gjilani si një trajner me përvojë të dëshmuar, i cili numëron pesë tituj kampioni të fituar me katër klube të ndryshme.
Përvoja, njohja e ambientit dhe ambicia për të arritur objektiva të rëndësishëm përbëjnë bazën e këtij bashkëpunimi, i cili synon të sjellë stabilitet, konkurrueshmëri dhe rezultate në përputhje me pritshmëritë e klubit dhe tifozëve tanë.
Sport Club Gjilani i uron mirëseardhje trajnerit Zekirija Ramadani dhe i dëshiron suksese në drejtimin e skuadrës, me bindjen se së bashku do të punojmë për ta çuar klubin drejt objektivave të përcaktuara.
Zyra për komunikim,
16 Tetor, 2026
