Kryetrajneri i skuadrës Zekirija Ramadani ka folur para mediave në prag të sfidës së njëmbëdhjetë kampionale në Albi Mall Superligë përballë KF Llapi.
Dueli ndaj Llapit nuk do të jetë i lehtë dhe për këtë janë të vetëdishëm kuqebardhët. Shefi shtabit teknik ka potencuar që llapjanët kanë shumë kualitet brenda organikës së tyre, pavarësisht pozitës tabelare në të cilën ndodhen, megjithatë ai dhe ekipi tij do ta kërkojnë vetëm fitoren.
“E dimë që nesër e presim një skuadër që ka mjaft potencial, por mendoj që nuk është aty ku mendoj që ka potencialin, është shumë më poshtë në tabelë. Ne do ta marrim ndeshjen e radhës me shumë seriozitet. Tani, meqë merremi me këtë punë, patjetër që serioziteti është në nivelin e duhur, por duhet shumë angazhim, përpjekje maksimale për të arritur objektivin. Objektivi dihet që janë tri pikët dhe, për ta marrë trepikëshin, duhet të vrapojmë më tepër se kundërshtari, duhet të rrezikojmë më tepër se kundërshtari, duhet ta kemi posedimin më tepër se kundërshtari, duhet të krijojmë më tepër raste se kundërshtari dhe të shënojmë më tepër gola se kundërshtari për ta arritur objektivin”.
“Ndeshjen e shkuar treguam përkushtim dhe dëshirë për ta fituar ndeshjen. Kufizuam kundërshtarin duke mos lënë hapsira për të na rrezikuar dhe falë këmbëngulsisë së futbollistëve edhe e fituam ndeshjen me shumë meritë”.
“Metoda ime e punës nuk është për të shënuar gola vetëm nga reparti ofansiv. Unë në të kaluarën në klubet ku kam punuar gjithë pothuajse gjithë skuadra ka shënuar. Aksioni ofansiv fillon nga portieri dhe deri te sulmuesi. Jemi munduar të punojmë si kolektiv dhe barrën më të madhe mos tu lëmë vetëm repartit ofansiv. Por, duhet krijuar për të shënuar edhe repartet tjera, megjithëse përgjegjësia bie në repartin sulmues për të realizuar. Atë të cilën e kemi punuar është e rëndësishme që futbollistët ta besojnë që ajo është më e mira dhe këtë gjë do ta shohim nesër”.
“Shkaku kryesor që jam këtu është besimi tek këta futbollistë dhe te kualiteti i tyre. Detyra ime dhe stafit tim është që së bashku të nxjerrim më të mirën nga këta futbollistë”.
“Futbolli nuk matet nga e kaluara. Brumi te futbollistët ekziston dhe varet se si do të gatuhet. Për këtë duhet të gjejmë metodën se si duhet punuar dhe t’ua nxjerrim më të mirën këtyre futbollistëve. Nuk jam rob i një sistemi, jam për të përshtatur me atë që kemi brenda skuadrës”.
“Thirrja më e mirë për tifozët janë rezultatet dhe loja. Mund të bëjmë thirrje sa të duhet dhe të humbim ndeshjen. Është kot të flasim, por duhet ta dëshmojmë me vepra. Nëse ne arrijmë suksesin dhe nuk shtohet numri i tifozëve nuk është problemi te ne, por te ata. Ne thirrjen tonë ndaj tifozëve do ta bëjmë duke luftuar brenda fushës së lojës. U kam kërkuar edhe futbollistëve të jemi agresiv dhe të kërkojmë fitoren ndaj çdo kundërshtari”.
