Paraqitje mbreslënëse të djelmoshave ‘kuqebardh’ të cilët shpërfaqin më të mirën e tyre dhe e kurorëzojnë me pikë maksimale nga përballja me Llapin (2-1).
Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe me aksione të shumta shënimi. Vetëm në 20-të minutat e para të ndeshjes u krijuan tri raste të pastërta shënimi për sulmuesin Senad Jarovic, mirëpo në asnjërën prej tyre nuk arriti ta prek fundin. Armend Thaqi, Oltion Bilalli dhe Robert Rrahmani u vënë në shërbim të sulmuesit shtatëlartë, por që nuk kishte efikasitetin e duhur për ta dërguar topin drejt rrjetës.
Ndëshkimi erdhi pas rasteve të humbura. Në rastin e parë serioz, mysafirët realizan përmes sulmuesit të tyre Ardit Tahiri (0-1).
Pavarësisht golit të disavantazhit, futbollistët e Ardian Nuhiut nuk u zmbrapsën fare. Një mundësi të mirë shënimi e shpërdoroi Sabit Bilalli, i cili gjuajti me kokë jashtë portës, krejtësisht në fundin e shtesës në fraksionin e parë.
Pjesa e dytë e lojës nisi edhe më furishëm, derisa ‘të kuqtë’ u lëshuan sikurse ‘skifterët’ në aksion për të krijuar raste të panumërta. Sabit Bilali ishte i pari që provoi, por goditjen e tij e ndali ‘gardiani’ Vokli Laroshi. Ndoshi kjo në minutën e 50-të të ndeshjes. I njejti futbollist goditi me kokë pas asistimit të zëvendësuesit Edi Basa pesë minuta më vonë, por sërish goditja e tij u ndal nga portieri llapjan.
Oltion Bilalli gjendet në një mundësi të pastër shënimi në minutën e 57-të të ndeshjes, por nuk e zhfrytëzon harkimin fantastik të mbrojtësit të qendrës Marko Roganovic, derisa gjuan ballore drejt Laroshit.
Senad Jarovic qëlloi traversën në dy tentimet të cilat i pati me kokë në minutat 60-të dhe 67-të, ndërkohë Kushtrim Shabani pati një mundësi ideale për ta barazuar rezultatin, derisa nga afërsia dështoi të qëllonte në portën e boshatisur.
Pak minuta para se të vinte goli, një rast për të shënuar e pati edhe Robert Rrahmani, por që golin ia mohoi Laroshi, duke dëbuar goditjen e tij drejt fundores.
Rezistenca llapjane zgjati deri në minutën e 85-të, derisa një goditje fantastike e mesfushorit të inkuadruar në lojë Blerind Morina përfundoi në rrjetë (1-1).
Ende pa u rehatuar mirë, të besuarit e Ardian Nuhiut gjetën edhe golin tjetër, atë të epërsisë. Një aksion i nisur nga Blerind Morina përfundoi në këmbët e Armend Thaqit, i cili harkoi brenda zonës në të cilën u gjend më së miri Robert Rrahmani që e dërgoi topin drejt rrjetës për ta marrë epërsinë e merituar (2-1).
Pavarësisht golave të realizuar ekipi nuk u ndal dhe vazhdoi të kontrollonte ndeshjen edhe për minutat e mbetura të lojës. Megjithatë, gola më nuk pati. Ekipi mori fitoren e tretë kampionale dhe shumë të merituar.
Pas përfundimit të ndeshjes, futbollistët dhe stafi u afruan në tribunën qendrore të stadiumit për t’i falenderuar tifozët e pranishëm për mbështetjen.
FT: SC Gjilani 2-1 FC Llapi
Golashënues: Blerind Morina 85′, Robert Rrahmani 86′
Të ndëshkuar: Marko Roganovic, Ergys Kaçe
Stadiumi ndihmës në Gjilan
Përbërja: Haxhihamza, Thaqi, Roganovic, Shabani, Ibrahimi (88′ Martinaga) Bilali (74′ Morina), Kaçe, Rrahmani, Bilalli (88′ Krasniqi) Prapashtica (52′ Basa), Jarovic. Kryetrajner: Ardian Nuhiu.