Disfatë në shtëpi nga një ndeshje e cila më së paku pritej dhe për më tepër para publikut vendas.
Ndeshja nisi në mënyrën më të keqe të mundshme duke u ndëshkuar qysh në minutën e pestë të ndeshjes pas një gjysmë rasti nga skuadra mike. Ishte Mërgim Pefqeli ai i cili përfitoi nga një pasiguri e mbrojtjes vendase dhe realizoi për ta zhbllokuar rezultatin (0-1).
Edi Basa dhe Oltion Bilalli provuan që ta barazojnë rezultatin, mirëpo goditja e dy anësorëve u prit nga ‘gardiani’ Altik Muhaxhiri.
Në momentet më të mira të skuadrës, vjen edhe goli i dytë i miqve. Një top i kthyer brenda zonës gjen sulmuesin e ri Hekuran Berisha, i cili me portierin Aridon Bllaca e dërgon topin drejt rrjetës (0-2).
Në fraksionin e dytë të lojës skuadra mori lojën nën kontroll. Edi Basa në minutën e 60-të dhe Sabit Bilali në minutën e 78-të patën mundësi të mira shënimi, por në dy rastet goditjet e tyre shkuan mbi traversë.
I inkuadruari në lojë Blerind Morina u ndal në mënyrë të palejuar nga mbrojtësi Ilir Syla në minutën e 83-të të ndeshjes, ndërkohë që gjyqtari kryesor Lirim Mehmeti akordoi penalti për vendasit.
Senad Jarovic u tregua i sakt nga pika e bardhë për ta ngushtuar rezultatin (1-2).
Megjithatë, kjo ishte krejt ajo se çfarë bënë ‘të kuqtë’ nga ky takim, pasi që përpos disa gjysmë rasteve, rrjetat mbetën të paprekura.
FT: SC Gjilani 1-2 FC Dukagjini
Golashënues: Senad Jarovic 83′
Të ndëshkuar: Albin Prapashtica
Stadiumi ndihmës në Gjilan
Përbërja: Bllaca, Thaqi, Roganovic, Jamal, Ibrahimi (78′ Ymeri), Shabani (C) (68′ Bilali), Kaçe (46′ Morina), Rrahmani, Bilalli, Basa, Jarovic. Kryetrajner: Ardian Nuhiu.