Pas përfundimit të duelit kontrollues ndaj Prishtinës së Re, ekipi ka nisur menjëherë procesin e rikuperimit fizik dhe taktik. Stafi teknik ka ndarë skuadrën në dy grupe, bazuar në ngarkesën e minutave të luajtura në ndeshjen e fundit. Lojtarët që ishin pjesë e formacionit startues iu nënshtruan një seance të lehtë rikuperuese, duke përfshirë ushtrime të shtrirjes, rikthim gradual në ritmin e zakonshëm dhe punë të fokusuar në rigjenerimin muskulor.
Ndërkohë, grupi tjetër – lojtarët që patën më pak minuta në fushë – punoi me intensitet më të lartë. Ata zhvilluan një seancë më dinamike, me ushtrime tekniko-taktike dhe situata loje që synojnë mbajtjen e ritmit të duhur fizik dhe përgatitjen për ndeshjet e ardhshme.
Puna në kampin tonë vazhdon me përkushtim të plotë, ndërsa ekipi tashmë e ka vëmendjen te testi i radhës, që do të zhvillohet më 26 korrik, ndaj skuadrës së Arkadag. Ky do të jetë një tjetër mundësi për stafin për të parë nga afër gjendjen e grupit dhe për të vlerësuar progresin në prag të sfidave zyrtare që na presin.