Ballkani 1-1 SC Gjilani | Albi Mall Superliga - SC GJILANI

Ballkani 1-1 SC Gjilani | Albi Mall Superliga

Nuk mjaftoi një gol i vetëm i Edi Basas për ta kurorëzuar njërën nga paraqitjet më të mira të sezonit për kuqebardhët në duelin ndaj Ballkanit në Suharekë.

  • Barazimi i dytë kampional dhe atë ndaj Ballkanit
  • Edi Basa gjen golin e dytë sezonal
  • Shqiprim Taipi ia bën sefte këtë edicion
  • Albin Prapashtica ngelet pa njërin ndër golat më të mirë të kampionatit

Paraqitja e skuadrës në duel ndaj Ballkanit në Suharekë, ishte njëra ndër paraqitjet më të mira të këtij edicioni. Ekipi krijoi pafundësisht, gjeti rrugën drejt golit dhe pati kontrollën e plotë të lojës.

Rastin e parë në ndeshje e pati Ennur Totre në minutën e 17-të të ndeshjes derisa gjuajti nga jashtë zonës, por topi shkoi fare pranë shtyllës së ‘gardianit’ Artan Iljazi.

Mundësinë e radhës e pati Mevlan Adili në minutën e 38-të të ndeshjes, por këtë herë ishte vetë portieri Iljazi që e shpëtoi golin e sigurtë. Iljazi bëri një tjetër pritje për të shpëtuar një tjetër gol, derisa gjuajtjen e Ennur Totres e priti nga afërsia, ndodhi kjo në minutën e 45-të të ndeshjes.

Menjëherë në aksionin e radhës dhe të fundit në fraksionin e pjesës së parë, Sabit Bilali u gjen në situatë ideale për të shënuar, mirëpo gjuajti jashtë portës.

“Skifterët” e nisën vrullshëm pjesën e dytë të lojës dhe gjetën golin e avantazhit në minutën e 49-të të ndeshjes përmes Albin Prapashticës, mirëpo super goli i sulmuesit të gjilanasve u anulua nga një vendim tejet diskutabil i gjyqtarëve edhe nga dhoma e VAR, pasi që paraprakisht Bilali kishte një duel force me futbollistin Ardit Deliu.

Armend Thaqi provoi goditjen nga ndërprerja në minutën e 55-të të ndeshjes, por goditjen e tij e priti Iljazi.

Goli i shumëkërkuar erdhi në minutën e 69-të, derisa zëvendësuesi Edi Basa me prekjen e tij të parë e dërgoi topin drejt rrjetës, për ti dhënë epërsinë e shumë merituar të udhëtuesve (0-1).

Albin Prapashtica pati mundësi ideale për ta dyfishuar rezultatin, derisa i vetëm me Iljazin gjuajti mbi portë në minutën e 77-të të ndeshjes.  Ndërkohë Blerind Morina gjuajti qendrore në minutën e 86-të të ndeshjes, duke e zënë të përgatitur Iljazin që ishte heroi i vendasve në këtë përballje.

Ligji i pashkruar i futbollit kur nuk shënon e pëson, erdhi në shprehje në minutën e katërt shtesë, derisa Giovanni Riberio shfrytëzoi një harkim të Almir Kryeziut dhe e dërgoi topin drejt rrjetës (1-1).

Krejt në fundin e ndeshjes, Armend Thaqi pati mundësi për të realizuar, por ishte sërish Iljazi, ai i cili ia mohoi golin.

Në kuadër të xhiros së 11-të, Gjilani e pret në shtëpi Dukagjinin, sfidë kjo e cila zhvillohet të marten më 29 tetor.

Të dhënat

Ballkani – SC Gjilani 1-1 (0-0)
Stadiumi i qytetit në Suharekë
Gjyqtar: 
Egzon Dakaj, Altin Zhegrova, Edmond Zeqiri, Valon Bajgora, Mentor Ajeti (VAR), Gëzim Morina (AVAR)
Golashënues: Giovanni Riberio 90+4′ | Edi Basa 69′
Përbërja: 
Laroshi, Thaqi (C), Adili, Zebic, As.Thaqi, Bilali (60′ Basa), Boshnjaku (80′ Taipi), Totre, Morina (87 ‘ Ibrahimi), Prapashtica, Jarovic. Trajner: Debatik Curri