Performanca e futbollistit Armend Thaqi në duelin e xhiros së 31-të në Albi Mall Superligë ndaj Suharekës është vlerësuar me çmimin “Ylli i Javës”, pasi që kontriboi me dy asistime në fitoren e “kuqebardhëve” në këtë ndeshje me rezultat 3:0.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, në përbërje të Enver Prapashtica, Enes Shosholli dhe Avni Shala.
Pasi mori këtë çmim, Thaqi u shpreh i lumtur që u vlerësua më i miri i javës:
“Është e rëndësishme që kemi fituar tri pikë, sepse nuk ishim në një pozitë të mirë në tabelë dhe kemi pasur një histori shumë negative javët e fundit. Shpresojmë të dalim në Evropë, sepse ende na e lejon matematika. Përveç performancës sonë, duhet të presim edhe ndonjë gabim nga kundërshtarët tanë, dhe kjo do të ishte një arritje shumë e madhe. Ky çmim i takon gjithë ekipit, jo vetëm mua, sepse të gjithë kanë meritë për këtë paraqitje time. Këtë ndeshje e kemi fituar me shumë meritë”, theksoi ndër të tjerash Thaqi.