Ertan Demiri është emëruar zyrtarisht në pozitën e drejtorit sportiv, si rrjedhojë e ndryshimeve menaxheriale në klub.
Përvoja shumëvjeçare në fushën menaxheriale në botën e futbollit do ta ndihmoj 45 vjeçarin nga Shkupi në sfidën e re sportive, e cila pritet të manifestohet nga një projekt shumë i kjartë nga aksionarët e klubit.
Punën në këtë pozitë Demiri do ta nis nga ndarja e përgjegjësive për stafin teknik, i cili pritet të ngarkohet shumë shpejtë me detyra.
Pas marrjes së detyrës ai u shpreh i kënaqur me besimin nga drejtuesit e klubit, teksa ka folur në pika të shkurtëra në lidhje me projektin dhe objektivin e klubit në vazhdim.
Projekti?!
“Është më se e qartë që aksionarët e klubit dhe bordi drejtues kanë një projekt mire të analizuar dhe ndjehem i vlerësuar që do jem pjesë e tyre në aspektin menaxherial. Gjilani është një klub që gjithmonë ka qenë ndër klubet elitare më konkuruese dhe një klub që Evropën e ka patur objektiv minimal. Ne synojmë së pari të ndërtojmë një ekip të fortë konkurues për t’i ndjekur objektivat, që normalisht do të jenë më të larta në vitet në vazhdim. Jam shumë i lumtur që kjo detyrë më është besuar mua nga Fatlum Pireva dhe Syart Rrahmani. Është nder dhe privilegj që të jem në projektin e njërit nga klubet më të mira në Kosovë, duke mos harruar me njërën nga tifozëritë më të zjarrta”.
Sfidat?
“Ekipi do të rindërtohet sërish. Kemi elemente pozitive brenda skuadrës, por normalisht që na duhen edhe ardhje për të ngritur nivelin dhe për të qenë sa më konkurues. Kjo pritet të jetë sfida më e fortë e ynë dhe për këtë do të punojmë pandërprerë. Këtë vit do jenë shumë skuadra të forta në lojë dhe në mesin e tyre do të jemi normalisht edhe ne”.
Objektivi?
“Normalisht që objektivi është i qartë, ngritja e klubit në nivelet më të larta sportive. Do të punojmë shumë për ndërtimin e një ekipit kompetitiv për edicionet në vazhdim, pasi që kjo është vetëm një nisje e projektit dhe synojmë të vazhdojmë edhe në vitet e ardhshme. Gjilani duhet të jetë në mesin e klubeve më të mira në vend, sikurse në pozitën tabelare, po ashtu edhe në përfaqësim ndërkombëtar”.
Pritshmëritë?
“Kam gjetur një klimë të jashtëzakonshme sportive dhe miqësore. Së bashku me stafin jemi të bindur që me përkushtim dhe me angazhimin e të gjithëve ne do të jemi brenda pritshmërive. Do jetë një sezon sfidues, por me punë synojmë t’i arrijmë të gjitha”.
Thirrja?
“Është koha e Gjilanit. Klubi është në duart e njerëve që kanë vizion dhe guxim, mbi të gjitha janë korrekt financiarisht dhe tejet xhentelmen. Pres nga komuniteti i futbollit gjilanas dhe gjithë tifozët që të na mbështesin nga fillimi sezonit, pasi që do jetë njëri ndër kampionatet më interesante në Kosovën e pasluftes dhe natyrisht që kemi nevojë për mbështetjen e gjithësecilit”.