Tjetër humbje me shije të hidhur, këtë herë disfatë në shtëpi ndaj Llapit që vështirëson edhe më shumë punët në fazën finale të kampionatit.
- Armend Thaqi realizon një tjetër kryevepër
- Tjetër gol i dyshimtë i pranuar nga Burim Jamurataj
- Marijan Coric shpëtimtar i mysafirëve
- Ndeshja e radhës sërish në shtëpi, por në cilësinë e mysafirit
Pas humbjes ndaj Llapit me rezultat 1-2, SC Gjilani mbetet pa pikë në shtëpi në kuadër të javës së 34-të në Albi Mall Superligën e Kosovës. në futboll.
Mysafirët kaluan të parët në epërsi në minutën e 8-të me anë të Arianit Hasanit, i cili realizoi për 0-1 pas një rrëmuje brenda zonës.
Kundërpërgjigja erdhi menjëherë me kapitenin Armend Thaqi, i cili realizoi një gol tejet të bukur nga gjuajtja e lirë. Ndodhi kjo në minutën e 15-të të ndeshjes.
Megjithatë, Llapi arriti të rikthejë epërsinë në minutën e 25-të, kur sërish Arianit Hasani realizoi nga afër zonës, pavarësisht që më parë ishte shkaktuar një faull i pastër në futbollistin Oltion Bilalli, por dhoma e VAR heshti, me arsyetimin që një futbollist vendas ka prekur topin më pas dhe nuk ka të drejtë interpretimi.
Skuadra krijoi raste të panumërta shënimi, mirëpo pa patur rrugën drejt golit. Armend Thaqi provoi edhe njëherë të realizonte nga goditja e dënimit, por gjuajtja e tij në minutën e 57-të shkoi pranë traversës.
Mundësinë më të mirë në ndeshje e pati Albin Prapashtica, i cili dështoi të realizonte në portën e zbrazët në minutën e 70-të të ndeshjes.
Ndeshja u mbyll me fitoren e mysafirëve mes shumë polemikave, me skuadrën që sheh përpara tashmë për ndeshjen ndaj rivalit lokal të dielen e ardhshme.
Të dhënat
SC Gjilani – KF Llapi 1-2 (1-2)
Stadiumi ndihmës në Gjilan
Gjyqtar: Burim Jahmurataj, Lumturije Muhadri, Besnik Morina, Valon Bajgora, Mentor Ajeti (VAR), Drilon Rexhepi (VAR 1)
Golashënues: Armend Thaqi 15′ | Arianit Hasani 8′, 25′
Të ndëshkuar: Senad Jarovic, Oltion Bilalli | Arianit Hasani, Marijan Coric, Arbër Bytyqi, Elvir Gashijan, Hasan Hyseni
Përbërja: Laroshi (45′ Kolaj), Thaqi (C), Adili, Krivanjeva, Bilali (45′ Namani), Ibrahimi, Taipi (67′ Akpan), Morina (45′ Rrahmani), Basa (45′ Prapashtica), Bilalli, Jarovic. Trajner: Debatik Curri
