Gjilani 3-0 Drenica | Albi Mall Superliga – Xhiro IX - SC GJILANI

Gjilani 3-0 Drenica | Albi Mall Superliga – Xhiro IX

Fitore bindëse përballë Drenicës në shtëpi që rikthen skuadrën në rrugën drejt objektivit dhe shton besimin për ndeshjet e radhës kampionale (3-0).

  • Armend Thaqi realizon golin e parë sezonal
  • Mevlan Zeka me dopietë hap librin e golave
  • Rikthehet nga lëndimi Arbër Potoku
  • Ndeshja e radhës ndaj Feronikeli ’74 sërish në shtëpi

Momente reflektimi për skuadrën që realizon fitoren më bindëse të fazës së parë kampionale, derisa triumfon përballë Drenicës në shtëpi (3-0).

Një ndeshje e dominuar fillim e mbarim nga të kuqebardhët, të cilët në këtë takim u drejtuan nga Blerim Bunjaku.

Iniciativa u konkretizua me gol në minutën e 21-të të ndeshjes, derisa Armend Thaqi zhbllokoi rezultatin nga pika e bardhë (1-0). Paraprakisht mbrojtësi Andi Veliqi kishte luajtuar me dorë brenda zonës duke ndalur harkimin e Yll Ibrahimit.

Mundësi tejet të mirë për të shënuar pati Arbër Potoku në minutën e 32-të të takimit, por goditja e fuqishme nga jashtë zonës u prit me shumë mund nga ‘gardiani’ Arion Ymeri, i cili e dëboi topin në fundore.

Rast ideal për të shënuar pati edhe Mevlan Zeka në minutën e 40-të të duelit, derisa u shërbye bukur brenda zonës nga Oltion Bilalli, por që goditja e tij shkoi fare pranë shtyllës pingule.

Fraksioni i parë i lojës nuk prodhoi më gola, derisa ai i dyti nisi me mundësi tejet të mirë për mysafirët që ta barazojnë rezultatin. Aurel Limani gjuajti krejtësisht lartë portës nga penaltia në minutën e 50-të. Paraprakisht futbollisti Lorik Boshnjaku e pengoi brenda zonës Gjergji Koten.

Pas disa mundësive të pashfrytëzuara golin e dytë në ndeshje dhe të parin personal në këtë kampionat e gjeti Mevlan Zeka në minutën e 64-të të ndeshjes (2-0). Sulmuesi gjakovar e shfrytëzoi në maksimum një pasim brenda zonës nga Oltion Bilalli dhe e dërgoi topin drejt rrjetës.

Në pjesën e parë të lojës mundësi të mira patën kapiteni Armend Thaqi, Lorik Boshnjaku e Elton Isufi, mirëpo gjuajtjet e tyre shkuan jashtë cakut.

Zeka realizoi edhe njëherë tjetër, teksa këtë herë u shërbye nga Arjol Bllaca dhe në minutën e 85-të të ndeshjes i dërgoi shifrat në 3-0.

Kjo ishte fitorja e katërt kampionale në nëntë javët e para, derisa në vikend Feronikeli ’74 do jetë kundërshtari i radhës sërish në shtëpi.

Ndeshja e radhës

Gjilani – Feronikeli ’74

Stadiumi ndihmës në Gjilan | 18 tetor 2026 | 18:00

Gjilani – Drenica 3-0 (1-0)
Stadiumi ndihmës në Gjilan
Gjyqtar: 
Erdall Zasella, Bekim Rama, Gzim Mehmeti, Ilir Mehmeti, Genc Nuza (VAR), Granit Hyseni (AVAR)
Përbërja: 
Marijan Coric, Armend Thaqi (C), Ardian Limani, Arbër Potoku, Granit Jashari, Yll Ibrahimi (72′ Besart Krivanjeva), Lorik Boshnjaku (62′ Milazim Bajraktari), Hamdi Namani, Robert Rrahmani (72′ Blerind Morina), Oltion Bilalli (72′ Arjol Bllaca), Mevlan Zeka (85′ Elton Isufi). Blerim Bunjaku – Kryetrajner.

App logo