Jamal Arago është shfaqur në konferencën për media në prag të duelit kampional ndaj FC Feronikeli ’74, derisa është deklaruar optimist në rikthimin e rezultateve pozitive.
Futbollisti ganez ka potencuar që rezultatet e ndeshjeve të para në kampionat tashmë i kanë lënë prapa, teksa janë të fokusuar për ndeshjen e radhës.
“Kemi kaluar në një periudhë të vështirë rezultatesh në këtë fillim sezone, mirëpo tashmë ajo është e kaluara dhe nuk jemi duke shikuar prapa. Jemi të fokusuar për ndeshjen ndaj Feronikelit dhe jemi të gatshëm për të dhënë gjithçka për ta fituar këtë ndeshje”, deklaroi fillimisht Arago.
Ndër të tjerash ai ka folur edhe për lëndimin, i cili e mbajti jashtë fushave të blerta për një periudhë jo të gjatë kohore, derisa ritheksoi se është i gatshëm për ndeshje.
“Ishte e vështirë ta shikoja ekipin nga jashtë fushës, mirëpo tashmë jam i gatshëm për t’i ndihmuar bashkëlojtarëve në fushën e lojës, duke lënë prapa lëndimin”, përfundoi numri 3 i skuadrës.
Gjilani dhe Feronikeli ’74 do të ballafaqohen të hënën më 16 Shtator me fillim nga ora 15:00. Takimi zhvillohet në stadiumin ndihmës në Gjilan.