Nuhiu | Kërkoj vazhdimësinë nga skuadra - SC GJILANI

Nuhiu | Kërkoj vazhdimësinë nga skuadra

Ardian Nuhiu ka bërë thirrje nga konferenca e shtypit për futbollistët e tij që të vazhdojnë ecurinë e rezultateve pozitive, pasi që potenciali i tyre mund ta arrij këtë gjë.

Në prag të sfidës kampionale ndaj Malishevës, kryetrajneri Nuhiu e ka vlerësuar lartë oponentin e së dielës, pasi që në vitet e fundit ka zhvilluar futboll të bukur dhe ka prodhuar futbollistë cilësor.

“Ndeshje e fortë dhe po aq e rëndësishme. Nga skuadra kërkoj vazhdimësinë sepse në futboll është e rëndësishme të kesh kontinuitet të rezultateve pozitive. Mënyra se si e kemi zhvilluar ndeshjen e fundit nga skuadra më ka pëlqyer. Kërkoj çasjen dhe ritmin e njejtë. Për duelin e nesërm kemi përgatitur një formë ndryshe që ta zhvillojmë takimin, pasi që përballë nesh kemi një skuadër kualitative. Me grupin kemi analizuar mjaftueshëm gjatë javës ekipin kundërshtar, i cili është rritur viteve të fundit. Do të përqendrohemi te skuadra jonë dhe të marrim më të mirën nga gjithësecili. Në momentin që skuadra ime i bashkon forcat jam i bindur që do të marrim maksimumin e pikëve sepse ky tre pikësh është tepër i rëndësishëm për vazhdimësinë”, potencoi ndër të tjerash Nuhiu.

Objektivi për ndeshjet e mbetura?

“Ka edhe shumë pikë deri në mbyllje të stinorit vjeshtor dhe ne jemi shumë të përqendruar si grup që çdo ndeshje të kemi çasje super serioze, të kemi personalitet dhe t’i marrim ndeshjet një e nga një, duke filluar nga ndeshja e nesërme”.


Përgjegjësitë mbi trajnerin!

“Përgjegjësitë gjithmonë do t’i marr unë. Në momentin që futbollistët e mi ndjekin udhëzimet e mia brenda fushës, atëherë përgjegjësia gjithmonë do të jetë e trajnerit, sepse unë i orientoj, apo drejtoj të shkojmë në atë rrugë. Në momentin që nuk marrim rezultatin e kërkuar, përgjegjësia është te unë. Futbollistët lëreni të qetë, fajin kërkojeni te unë. Gjithkçka që është negative është te unë, gjithçka që është pozitive është e futbollistëve”.

Gjilani në fundin e stinorit vjeshtor?

“Përqendrimin maksimal e kemi vetëm te ndeshja e nesërme. Kërkojmë të shohim para vetëm nga ndeshja e nesërme, të kemi fokusin dhe përqendrimin maksimal për ti arkëtuar pikët e plota, pastaj do të mendojmë për ndeshjet tjera. Ne futemi në ndeshje gjithmonë për fitore, prandaj besojmë që mund ta fitojmë secilën ndeshje”.


Stabiliteti i rezultateve?

“Është e rëndësishme vazhdimësia e rezultateve pozitive. Luhatja e rezultateve ka ardhur pasi që në klub është gjithçka risi. Trajneri ri, me ide të reja, futbollist të rinj dhe normalisht që duhet kohë për t’u ambientuar. Nuk është e lehtë të ndryshosh diçka të cilën e kë mësuar vite më herët. Këtë luhatje nuk do ta kemi pas fazës tjetër përgatitore, pasi që ekipi do të filloj të stabilizohet”.

Fondi i futbollistëve?

“Kemi futbollist cilësor dhe këtë do ta dëshmoj koha. Po e ritheksoj që idetë e reja dojnë kohë. Filozofia e trajnerit do kohë për t’u implementuar. Për potencial të skuadrës time e njoh shumë mirë kampionatin dhe jam i bindur që kemi futbollist shumë kualitativ dhe një periudh të shkurtër do të krenohemi me lojtarët të cilët i kemi, pasi që do t’i shohim në kampionate të forta”.

Ballafaqimi ndërmjet Gjilanit dhe Malishevës zhvillohet të dielen me fillim nga ora 13:00 në stadiumin ndihmës në Gjilan.