Pesë vite më parë është ndarë nga jeta Shukri Sylejmani, ish-president i klubit, i cili ngriti për herë të parë trofeun e Kupës së Kosovës pasluftës dhe atë të Superkupës.
Seanca stërvitore e ditës së martë (23 shtator) ka nisur me një minutë heshtje në nderim të jetës dhe veprës së Shukri Sylejmanit, ish presidentit të klubit, i cili ndërroi jetë pesë vite më parë, pikërisht në këtë datë.
Stafi teknik dhe bashkëlojtarët janë mbledhur në mesin e fushës dhe në shenjë nderimi kanë mbajtur një minutë heshtje. Drejtuesit e klubit kanë dërguar mesazhe mbështetëse dhe ngushëlluese për familjen Sylejmani, duke mos harruar kontributin dhjetë vjeçar në klubin e Gjilanit.
Gjatë qëndrimit në krye të klubit për një dekadë, Sylejmani fitoi titullin kampion dhe Superkupën e Kosovës në edicionin 1999/2000, teksa në dy edicione ishte edhe nënkampion vendi duke humbur titullin kampion në rrethanat e kohës.
Klubi i Gjilanit rrespekton jetën dhe veprën e Sylejmanit, duke uruar që sukseset do jenë të dedikuara për të në të ardhmen.