Paraqitje tejet pozitive e grupit në kryeqytet, derisa krijon mundësi të shumta shënimi, pavarësisht që rezultati final i ndeshjes ndaj Prishtinës mbeti i pandryshuar nga minuta e parë e lojës (0-0).
- Barazimi i tretë kampional, i pari pa gola
- Ndeshja e tretë pa pranuar gol këtë edicion
- Rikthehet Almir Aganspahic
Pas disfatës në mesjavë ndaj Dukagjinit në shtëpi (0-2), ekipi reflektoi duke performuar mirë në duelin e xhiros përballë Prishtinës në “Fadil Vokrri”.
Me dy ndryshime në formacion, Krivanjeva dhe Ibrahimi që startuan nga minuta e parë, skuadra nisi ndeshjen me shumë energji dhe kërkim të golit.
Blerind Morina dhe Armend Thaqi provuan të parët ta zhbllokonin ndeshjen, mirëpo pa sukses që të dy. Edi Basa shpërdoroi mundësinë më të mirë ndoshta në ndeshje, teksa dy minuta para fundit të pjesës së parë qëlloi pingulen nga afërsia.
Në fraksionin e dytë, grupi ishte tejet i bashkuar dhe limitoi kundërshtarin në vetëm një rast shënimi. Valmir Veliu gjuajti mbi portë nga afërsia, ndërkohë që Albin Prapashtica pati dy raste tejet të mira shënimi, por në dy rastet topi shkoi fare pranë portës.
Senad Jarovic gjuajti bukur me kokë në minutën e 73-të të ndeshjes, por goditja e tij u ndal nga mbrojtja vendase, duke larguar topin nga vija fatale e mbrojtjes.
Ndeshja u mbyll pa gola, me ekipin që mori një pikë nga udhëtimi i vështirë në kryeqytet, teksa në xhiron e radhës do jetë sërish mysafir, këtë herë i Malishevë në “Liman Gegaj”.
Të dhënat
FC Prishtina – SC Gjilani 0-0
Stadiumi “Fadil Vokrri” – Prishtinë
Gjyqtar: Erdall Zasella, Fatlum Berisha, Kastriot Peci, Gramos Shala, Dardan Çaka (VAR), Granit Hyseni (AVAR)
Golashënues: –
Përbërja: Laroshi, Thaqi (C), Zebic, Krivanjeva, Ibrahimi, Boshnjaku, Totre, Morina (59′ Taipi), Prapashtica, Basa (90+1′ Kqiku), Jarovic (80′ Aganspahic). Trajner: Debatik Curri
