Raport | Gjilani 2-1 Kaysar - SC GJILANI

Raport | Gjilani 2-1 Kaysar

Miqësoret parasezonale në tokën turke nisin në mënyrën më të mirë të mundshme. “Kuqebardhët” triumfojnë përballë kazakëve të FC Kaysar (2-1), me nga një gol të shënuar në secilën pjesë.

Kryetrajneri Ardian Nuhiu kishte përgatitur një formacion të miksuar të futbollistëve në dy pjesët e lojës, teksa përpos golave të realizuar ekipi krijoi raste të shumta shënimi.

Drin Ymeri zhbllokoi ndeshjen në minutën e 28-të të ndeshjes duke përfituar nga një shërbim i kapitenit Edison Kqiku nga krahu i djathtë. Sulmuesi i gjilanasve e dërgoi me lehtësi topin drejt rrjetës pas një aksioni model të realizuar (1-0).

Pavarësisht golit të realizuar skuadra krijoi raste të tjera shënimi, por pa arritur të konkretizoj ndonjërën prej tyre.

Odi Mehmeti dhe Albin Prapashtica patën mundësi për ta dyfishuar rezultatin, por pa sukses.

Ekipi u ndëshkua në fundin e pjesës së parë, pas një ndërprerje të ekzekutuar nga krahu i majtë (1-1).

Në pjesën e dytë të lojës ekipi krijoi sërish një mori rastesh, derisa golin e gjeti në minutën e 60-të të ndeshjes. Oltion Bilalli u gjend bukur brenda zonës dhe me një goditje të saktë e riktheu epërsinë (2-1).

Mundësi tjera shënimi u ofruan edhe për Senad Jarovic, i cili gjuajti me kokë në minutën e 70-të të ndeshjes, por qëlloi vetëm traversën.

Ndërkohë goditjen e Robert Rrahmanit e ndali ‘gardiani’ i skuadrës kazake dhe kështu mbeti rezultati i pandryshuar deri në fundin e ndeshjes.

Në këtë ndeshje u aktivizuan të gjithë futbollistët përpos Marko Roganovic, Sabit Bilalit dhe Lazim Krasniqit që po vazhdojnë me procesin e rikuperimit nga lëndimet e pësuara.

Ndeshja e radhës miqësore do jetë më 22 Janar përballë skuadrës tjetër kazake FC Elimai.