Skuadra është detyruar të pranojë një tjetër disfatë në kuadër të kampionatit Albi Mall Superligë, derisa është mposhtur në udhëtim te Ballkani (1-0).
Megjithë kohën e shkurtër në dispozicion për ta përgatitur ndeshjen, ekipi ka qenë në gjendje optimale dhe ka provuar deri në minutën e fundit të dalë me pikë nga ky ballafaqim.
Ndeshja nisi me iniciativë të futbollistëve mysafir, derisa krijuan raste me Sabit Bilalin dhe Armend Thaqin, por goditjet e dy futbollistëve nuk qëlluan cakun.
Në momentin më të mirë të skuadrës erdhi ndëshkimi, derisa sulmuesi Sundey Adetunji realizoi me kokë pas harkimit të Geralb Smajlit në minutën e 30-të të ndeshjes.
Ekipi vazhdoi iniciativën dhe kërkoi golin e barazimit përmes Albin Prapashticës, por gjuajtja e sulmuesit të krahut në fundin e pjesës së parë shkoi vetëm jashtë portës.
Edhe fraksioni i dytë i lojës ishte pothuajse i ngjajshëm, me “kuqebardhët” që provuan pafundësisht të gjenin golin e barazimit dhe vendasit që kërkuan golin përmes kundërzbritjeve.
Edi Basa nga radhët e mysafirëve dhe Giovanni Riberio i vendasve patën mundësi për të realizuar, por goditjet e dy futbollistëve përfunduan mbi portë.
Ndeshja u mbyll me rezultatin e regjistruar në minutën e 30-të të ndeshjes, me skuadrën që pëson humbjen e dytë radhazi.
Ballkani 1:0 Gjilani
Të ndëshkuar: Marko Roganovic, Yll Ibrahimi, Kenan Haxhihamza, Kushtrim Shabani, Albin Prapshtica
Gjyqtarë: Mervan Bejtullahu, Drilon Rexhepi, Kastriot Peci, Isak Ceroviku, Mentor Ajeti (Var), Granit Hyseni (Avar)
Stadiumi i qytetit në Suharekë
Përbërja: Bllaca, Thaqi (C), Roganovic, Arago, Ibrahimi, Shabani, Bilali (40′ Rrahmani), Morina (85′ Alisson), Basa, Prapashtica, Jarovic (70′ Aganspahic). Kryetrajner: Ardian Nuhiu