Skuadra është ndalur në barazim nga një terren i vështirë në Klinë përballë Dukagjinit, derisa rrjetat mbetën të heshtura për dy oponentët (0-0).
Ekipi nisi ndeshjen me iniciativë dhe filloi gradualisht të kërkonte rrugën për të rrezikuar portën vendase. Edi Basa në minutën e 15-të të ndeshjes u gjet në mundësi ideale për të shënuar, por futbollisti Met Millaku e pengoi brenda zonës dhe nuk e mundësoi të gjuaj, ndërkohë që për gjyqtarin kryesor Mervan Bejtullahu dhe dhomën e VAR, aty ku ishte edhe gjyqtari tjetër Alban Shala gjithçka ishte e rregullt.
Pa shumë zhurmë u karakterizuan minutat e mbetura të fraksionit të parë, përpos një pritje fantastike të ‘gardianit’ Kenan Haxhihamza, i cili pesë minuta para se të shkonin në pushim ia mohoi mundësinë për të shënuar sulmuesit të ri Hekuran Berisha.
Me këto fragmente edhe përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.
Edhe në pjesën e dytë të lojës, “kuqebardhët” u treguan më konkret, derisa qysh në minutën e 50-të rrezikuan përmes kapitenit Armend Thaqi, por që gjuajtja e tij u prit me shumë mund nga ‘gardiani’ vendas.
Në minutën e 58-të të ndeshjes ishte Kenan Haxhihamza, i cili doli sërish në skenë, derisa priti me shumë mund gjuajtjen me kokë të Altin Merlakut.
Mundësinë për të realizuar Armend Thaqit ia mohoi edhe njëherë tjetër portieri Cyrus Margono që dëboi topin në fundore pas një goditje tejet të fuqishme. Ndodhi kjo në minutën e 60-të të ndeshjes.
Altin Merlaku i vendasve pati një tjetër mundësi shënimi, derisa gjuajti bukur nga jashtë zonës në minutën e 84-të të ndeshjes, mirëpo portieri Kenan Haxhihamza ishte sërish në vend.
Krejt në fundin e ndeshjes u tregoi një mundësi e pastër për shënim për Almir Aganspahic, mirëpo Elton Basriu i vendasve krejtësisht në mënyrë të palejuar ndaloi sulmuesin boshnjak, por sërish gjyqtari kryesor Mervan Bejtullahu dhe Alban Shala në VAR i mbyllën sytë.
Kjo ishte një nga situatat më të komentuara të ndeshjes dhe për siguri që do të vazhdoj të komentohet gjatë, pasi që ky rast nuk do shumë koment.
Takimi u mbyll me rezultatin e barabartë 0-0, me skuadrën që javën tjetër sërish do marrë rrugë, derisa këtë herë do të ballafaqohet me Suharekën.
Dukagjini 0-0 Gjilani
Të ndëshkuar: Marko Roganovic, Matheus Alisson
Gjyqtarë: Mervan Bejtullahu, Edmond Zeqiri, Meriton Berisha, Egzon Daka, Alban Shala (Var), Bujar Selimaj (aVar)
Stadiumi: “18 Qershori” në Klina
Përbërja: Haxhihamza, Thaqi (C), Arago, Roganovic, Ibrahimi, Taipi, Bilali (74′ Morina), Shabani (89′ Asani), Bilalli (68′ Alisson), Basa (45′ Prapashtica), Jarovic (68′ Aganspahic). Kryetrajner: Ardian Nuhiu