Ekipi kthehet me pikë të plota nga udhëtimi i vështirë në Drenas përballë Feronikeli ’74, duke triumfuar me shifra të pastërta (0:3).
Ndeshja nisi në mënyrën më të mirë të mundshme, derisa Senad Jarovic zhbllokoi shifrat në minutën e 11-të të ndeshjes. Sulmuesi shtatëgjatë përfitoi nga një pasim me kokë brenda zonës nga Albin Prapashtica, derisa me shkathtësi arriti ta dërgonte topin drejt rrjetës, (0-1).
Pavarësisht golit të realizuar ekipi nuk ndaloi së sulmuari. Në minutën e 18-të të ndeshjes pas një aksioni individual, Edi Basa gjuan me të majtën brenda zonës, por goditja e tij u prit nga ‘gardiani’ Davide Borsellini.
Megjithatë, goli i dytë erdhi shumë shpejtë. Edi Basa këtë herë në rolin e asistuesit pasoi deri te Oltion Bilalli, i cili brenda zonës me zgjuarsi gjuan në këndin e majtë të Borsellinit për ta dyfishuar epërsinë (0-2).
Oltion Bilalli pati një tjetër mundësi shënimi në minutën e 25-të të ndeshjes, mirëpo goditjen e anësorit të ‘kuqebardhëve’ e priti këtë herë Borsellini.
Me epërsinë prej dy golave ekipi shkoi në dhomat e zhveshjes.
Fraksioni i dytë i lojës ishte tejet aktiv, teksa ekipi krijoi raste të pafundme. Rasti i parë u tregua për Albin Prapashticën, i cili në minutën e 53-të nuk arriti ta dërgonte topin drejt rrjetës pasi u shërbye nga Oltion Bilalli. Pesë minuta më vonë Prapashtica pati një tjetër mundësi të mirë shënimi, por traversa i mohoi golin.
Pasi që nuk arriti të shënonte, Prapashtica kaloi në rolin e asistuesit, pasi që në minutën e 62-të të ndeshjes pasoi për Edi Basën, i cili arriti ta dërgonte topin drejt rrjetës (0-3).
Deri në fundin e ndeshjes mundësi të mira u shfaqën për Edi Basën dhe zëvendësuesin Lazim Krasniqi, mirëpo rezultati mbeti i pandryshuar.
Gjithsesi për tu veçuar janë edhe disa intervenime të ‘gardianit’ Kenan Haxhihamza, i cili arriti ta ruaj portën e tij të paprekur.
FT: FC Feronikeli ’74 0-3 SC Gjilani
Golashënues: Senad Jarovic 11′, Oltion Bilalli 22′, Edi Basa 62′
Të ndëshkuar: Edi Basa
Stadiumi: “Rexhep Rexhepi” – Drenas
Përbërja: Haxhihamza, Thaqi, Roganovic, Ramadani, Ibrahimi (87′ Martinaga), Shabani , Rrahmani, Basa (87′ Arago), Bilalli (90′ Ymeri), Prapashtica (84′ Krasniqi), Jarovic. Kryetrajner: Ardian Nuhiu.