Skuadra është rikthyer te fitoret, derisa ka triumfuar minimalisht në shtëpi ndaj Ferizajt (1-0), në një ndeshje të dominuar nga minuta e parë e lojës.
Ndeshja nisi me ritëm me ekipin që filloi ta kërkonte golin nga minuta e parë. Në minutën e gjashtë një mundësi e mirë shënimi iu ofrua mbrojtësit Besir Ramadani, mirëpo goditja e tij ishte e plogësht, pas harkimit të Edi Basas nga ndërprerja.
Ishte vetë Edi Basa, ai i cili e kërkoi golin në minutën e 30-të të ndeshjes, mirëpo goditja e tij u ndal nga ‘gardiani’ Marko Jovanovski. Tetë minuta më vonë, një tjetër mundësi shënimi iu ofrua Edi Basas, derisa gjuajti me të majtën brenda zonës pas harkimit të Albin Prapashticës, mirëpo sërish Jovanovski priti.
Erion Sadriu nga radhët e miqve provoi të surprizonte portierin Kenan Haxhihamza në fundin e pjesës së parë, mirëpo pa sukses.
Me rrjeta të heshtura përfunduan 45 minutat e para të lojës, ndërkohë me miqtë që nisën në aksion fraksionin e dytë dhe rrezikuan përmes Betim Haxhimusës, mirëpo pa sukses.
Sulmuesi i ferizajasve u gjend bukur brenda zonës dhe gjuajti me të parën, por goditjen e tij e dëboi në fundore Haxhihamza. Ndodhi kjo në minutën e 47-të të ndeshjes.
Ekipi vendas u hodh i tëri në sulm dhe pas shumë përpjekjeve gjeti golin në minutën e 81-të të ndeshjes. Një aksion model i nisur nga Marko Roganovic dhe i vazhduar nga Edi Basa dhe Armend Thaqi përfundoi në rrjetë, derisa mbrojtësi Filip Gligorov në tentim për ta larguar topin e dërgoi në portën e tij (1-0).
Deri në fundin e ndeshjes nuk pati ndonjë rast për t’u veçuar me ekipin që rikthehet te fitoret dhe mbyll me sukses fazën e tretë të kampionatit.
Gjilani 1-0 Ferizaj
Golashënues: Filip Gligorov (ag.) ’81
Të ndëshkuar: Kushtrim Shabani, Armend Thaqi
Gjyqtarë: Vigan Ibërdemaj, Granit Hyseni, Faton Jakupi, Gramos Shala, Dardan Çaka (Var), Drilon Rexhepi (Avar)
Stadiumi ndihmës në Gjilan
Përbërja: Haxhihamza, Thaqi (C), Roganovic, Ramadani, Arago, Taipi, Shabani, Rrahmani (54′ Morina), Basa (85′ Kqiku), Prapashtica (54′ Bilalli), Aganspahic (62′ Jarovic). Kryetrajner: Ardian Nuhiu