Vjen fitorja e parë kampionale falë paraqitje pozitive të skuadrës, teksa triumfon përballë Feronikeli ’74 në shtëpi me rezultat të pastër 2-0.
Të besuarit e Ardian Nuhiut e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, teksa realizuan qysh në aksionin e parë në ndeshje. Një pasim vertikal i Arago Jamal e vë në detyrë Oltion Bilallin që të vrapojë drejt portës dhe të asistoj për sulmuesin Senad Jarovic, i cili e dërgon topin drejt rrjetës pa ndonjë vështirësi.
Pavarësisht realizimit të golit, ekipi krijoi pafundësisht, teksa raste të mira shënimi patën Oltion Bilalli, Edi Basa dhe Ergys Kaçe, por asnjëri me goditjet e tyre nuk qëlloi cakun.
Atë që nuk e bënë bashkëlojtarët e tij, e bëri Sabit Bilali, i cili shfrytëzoi në maksimum një harkim të Robert Rrahmanit për ta dërguar topin drejt rrjetës për rezultatin 2-0, me të cilin edhe u mbyllën 45 minutat e para të lojës.
Në fraksionin e dytë të lojës tregimi ishte i njejtë. Mundësi të mira shënimi u treguan për Senad Jarovic, Sabit Bilalin dhe Blerind Morinën, mirëpo asnjëra nga goditjet nuk përfundoi në katërkëndësh.
Skuadra administroi mjaft mirë ndeshjen deri në fundin e saj dhe me shumë meritë mori fitoren e parë kampionale.
FT: SC Gjilani 2:0 FC Feronikeli ’74
Golashënues: Senad Jarovic 3′ & Sabit Bilali 45′
Të ndëshkuar: Kaçe, Rrahmani, Basa
Stadiumi ndihmës në Gjilan
Përbërja: Haxhihamza, Kqiku, Roganovic, Ramadani, Jamal, Bilali, Kaçe (Morina), Rrahmani (Ymeri), Bilalli (Prapashtica), Basa, Jarovic. Kryetrajner: Ardian Nuhiu.