Ekipi nis kampanjën me një barazim në Podujevë përballë Llapit në ndeshjen hapëse të edicionit 2024/25.
Paraqitje pozitive e skuadrës në Podujevë, që përveçse realizoi, krijoi edhe një numër të madh rastesh, sidomos në fraksionin e pjesës së dytë të lojës.
Të besuarit e Ardian Nuhiut e nisën ndeshjen me shumë siguri, duke u afruar ngadalë drejt portës së Ilir Avdylit dhe duke rrezikuar seriozisht katërkëndëshin e vendasve. Oltion Bilalli dhe Edi Basa patën mundësi të zhbllokonin rezultatin, por pjesa e parë ishte e destinuar të mbyllej pa gola.
Goli erdhi tek në fillimin e pjesës së dytë, derisa një aksion model i nisur nga kapiteni Edison Kqiku, gjeti këmbën e Edi Basa-s, i cili harkoi si me dorë për Oltion Bilallin që me kokë realizoi për golin e parë kampional.
Menjëherë pas golit, Bilallit iu treguan edhe dy mundësi të tjera shënimi, por goditjet e tij përfunduan në duart e ‘gardianit’ Avdyli. Përveç Bilallit, raste për të shënuar patën edhe Sabit Bilali dhe Robert Rrahmani, por që të dy nuk u treguan të saktë.
Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, një rivënie fundore doli të jetë fatale për kuqebardhët që detyrohen ta nxjerrin topin nga rrjeta pas goditjes me kokë të Ahmed Januzit.
Pavarësisht golit të pranuar, skuadra krijoi dhe rrezikoi sërish dhe sërish me Bilallin, i cili nga afërsia gjuajti mbi portë. Njësoj bëri edhe Edi Basa me goditjen e tij nga dënimi.
Ndeshja përfundoi me rezultatin e barabartë (1-1), me ekipin që merr pikën e parë sezonale në xhiron e parë.
FT: FC Llapi 1-1 SC Gjilani
Golashënues: Oltion Bilalli 50′
Të ndëshkuar: Haxhihamza, Morina
Stadiumi: Zahir Pajaziti – Podujevë
Përbërja: Haxhihamza, Kqiku, Roganovic, Ramadani, Ibrahimi, Bilali (Morina), Shabani, Rrahmani (Prapashtica), Bilalli, Basa, Jarovic (Jamal). Kryetrajner: Ardian Nuhiu.