Llapi 2-3 Gjilani | AlbiMall Superliga - SC GJILANI

Llapi 2-3 Gjilani | AlbiMall Superliga

Skuadra rikthehet te fitorja, teksa triumfon ndaj Llapit në një udhëtim të vështirë në “Zahir Pajaziti” (2:3).

  • Oltion Bilalli, kapiten i skuadrës
  • Senad Jarovic nuk ndalon së shënuari
  • Blerind Morina realizon golin e vitit
  • Zona evropiane për herë të parë këtë edicion

Skuadra ka marrë një fitore tejet të rëndësishme në udhëtim, derisa ka mposhtur ekipin e Llapit në fushën e tyre. Me shirtin e kapitenit në krah, Oltion Bilalli e udhëhoqi skuadrën drejt një triumfi tejet të rëndësishëm.

Bilalli hapi serinë e golave në minutën e 10-të të ndeshjes, derisa realizoi një gol tejet të bukur pas kombinimeve të Blerind Morinës dhe Albin Prapashticës (0-1).

Vendasit arritën ta barazonin rezultatin në minutën e 42-të të ndeshjes përmes Edon Sadriut, duke dërguar dy skuadrat në pushimin mes pjesëve me rezultatin e barabartë (1-1).

Në fraksionin e dytë të lojës, ekipi dominoi dhe kontrolloi tërësisht ndeshjen, teksa realizoi edhe dy herë të tjera. Fillimisht, Senad Jarovic realizoi nga penaltia në minutën e 54-të, pasi që paraprakisht u ndal në zonë nga Bujar Idrizi, i cili e tërhoqi qartazi për fanelle (1-2).

Në minutën e 70-të të duelit, Blerind Morina pasi pranoi një top nga Albin Prapashtica, gjuajti mjeshtërisht dhe realizoi njërin ndër golat më të bukur të kampionatit (1-3).

Pavarësisht golave, ekipi nuk u ndal dhe krijoi raste të tjera shënimi, po me Morinën, Taipin dhe zëvendësuesin Edi Basa, por që nuk realizuan asnjëri.

Vendasit ngushtuan rezultatin përmes Muhamed Hysenit në minutën e 83-të të ndeshjes, i cili realizoi nga nje penalti dhuratë nga gjyqtari Lirim Jashari, për ta vendosur njëherit edhe epilogun final të ndeshjes (2-3).

Kështu Gjilani tashmë renditet në pozitën e tretë të renditjes tabelare me 39 pikë dhe ndodhet në zonën evropiane pas një kohe të gjatë. Dueli i radhës do jetë të dielen me rivalin lokal Drita.

Të dhënat

KF Llapi – SC Gjilani 2-3 (1-1)
Stadiumi “Zahir Pajaziti” në Podujevë
Gjyqtar:
Lirim Jashari, Fatlum Berisha, Drilon Rexhepi, Kujtim Krasniqi, Valon Bajgora (VAR), Kastriot Peci (AVAR)
Golashënues: Edon Sadriu 42′, Muhamed Hyseni (pen) 83′ | Oltion Bilalli 10′, Senad Jarovic (pen) 54′, Blerind Morina 70′
Të ndëshkuar: Bujar Idrizi | Shqiprim Taipi, Oltion Bilalli, Blerind Morina
Përbërja: 
Kolaj, Adili, Krivanjeva, Bilali, Ibrahimi, Taipi, Morina (90+3′ As.Thaqi), Rrahmani (45′ Basa), Bilalli, Prapashtica (71′ Boshnjaku), Jarovic.  Trajner: Debatik Curri.