Skuadra mori barazim në minutat e fundit të ndeshjes, derisa ka mundur ta fitonte gjithë duelin nëse shkelqja e qëllimshme e futbollistit Toni Domgjoni ndaj Oltion Bilallit të akordohej penalti nga gjyqtari i ndeshjes Alban Shala.
- Barazimi i tretë në kampionat ndaj Ballkanit
- Armend Thaqi përcaktues me golin në fundin e ndeshjes
- Rikthehet nga lëndimi Shqiprim Taipi
- Penalti e paakorduar në minutën e fundit të kohës shtesë
Pavarësisht që ekipi e nisi jo mirë ndeshjen duke pranuar gol në minutën e 10-të, pasi që Almir Kryeziu realizoi për ta zhbllokuar ndeshjen (1-0), gjithçka filloi të ndryshonte në vazhdimësi.
Ekipi u përpoq që fillimisht ta gjente golin e epërsisë në pjesën e parë të lojës përmes Oltion Bilallit dhe Senad Jarovic, mirëpo pa shumë sukses.
Në fraksionin e dytë të lojës mundësi tejet të mira shënimi patën Senad Jarovic dhe i inkuadruari në lojë Mario Zebic, mirëpo goditjet e dy futbollistëve shkuan skaj shtyllës pingule.
Barazimi erdhi vetëm në minutën e fundit të kohës së rregullt, derisa një top të kthyer brenda zonës nga Oltion Bilalli e dërgoi brenda rrjetës kapiteni Armend Thaqi (1-1).
Oltion Bilalli u pengua brenda zonës krejt në minutën e pestë të lojës shtesë nga Toni Domgjoni, teksa u shkel brenda zonës, mirëpo gjyqtari Alban Shala nuk mendoi që të akordonte penalti dhe duke lënë skuadrën pa një tjetër mundësi për tre pikësh në Suharekë.
Ky ishte barazimi i tretë ndërmjet dy skuadrave këtë edicion garash dhe me rezultat identik (1-1).
Me këtë pikë, ‘kuqbardhët’ ngriten në kuotën e 43 pikëve dhe renditen në zonën evropiane. Në kuadër të xhiros së radhës Gjilani luan në shtëpi ndaj Dukagjinit.
Të dhënat
Ballkani – SC Gjilani 1-1 (1-0)
Stadiumi i qytetit në Suharekë
Gjyqtar: Alban Shala, Arbnor Bullatovci, Pashtrik Burrniku, Egzon Dakaj, Burim Jahmurataj (VAR), Fatmir Sekiraqa (AVAR)
Golashënues: Almir Kryeziu 10′ | Armend Thaqi 90+1′
Të ndëshkuar: Arbër Potoku, Ardit Deliu, Ivica Batarello, Bruno De Oliveria Souza | Mevlan Adili, Blerind Morina, Mario Zebic, Yll Ibrahimi
Përbërja: Kolaj, Ar. Thaqi (C), Adili (45′ Zebic), Krivanjeva, Bilali (78′ Totre), Ibrahimi (87′ As.Thaqi), Boshnjaku (90+3′ As.Thaqi), Morina, Bilalli, Basa (45′ Taipi), Jarovic. Trajner: Debatik Curri.
