Kryetrajneri i skuadrës Debatik Curri ka folur para mediave në prag të sfidës së parë kampionale për edicionin e ri futbollistik 2026/27.
Kampionati elitar hap siparin me duelin ndërmjet Feronikeli ’74 dhe Gjilani, takim ky i cili zhvillohet ditën e premte (14 Gusht) me fillim nga ora 16:30. Para këtij dueli në konferencën për shtyp para gazetarëve u paraqit kryetrajneri i skuadrës, Debatik Curri, i cili theksoi:
“Unë besoj shumë se këtë sezon do të jemi më konkurrent dhe do të luftojmë deri në ndeshjen e fundit për kreun e tabelës, pavarësisht se kush do të jetë kundërshtar i joni. Ne do të luftojmë për vendin e parë deri në fund. Do ta shohim ku do të përfundojmë, por unë kam mendimin se do të luftojmë deri në fund për vendin e parë”.
“Kemi bërë shumë ndryshime në skuadër, por jemi të kënaqur me fazën përgatitore dhe me klubin që i ka qëndruar prapa kërkesave tona. Besojmë se jemi gati dhe do të shkojmë për fitore. Absolutisht jemi favorit kundër Feronikelit 74 dhe synim është të kthehemi me fitore nga Drenasi”.
“Grupi është gati, atmosfera brenda skuadrës është fantastike dhe të gjithë mezi po e presim edicionin e ri”.
