PRESS | Zekirija Ramadani flet para ndeshjes ndaj Ballkanit - SC GJILANI

PRESS | Zekirija Ramadani flet para ndeshjes ndaj Ballkanit

Kryetrajneri i skuadrës, Zekirija Ramadani është shfaqur në konferencë për media para duelit të radhës kampional ndaj FC Ballkanit, teksa ka vlerësuar kundërshtarin e së dielës, ka bërë thirrje për të tijët që të jenë të vëmendshëm dhe të japin gjithçka për ta fituar ndeshjen.

Shefi i shtabit teknik ka vënë në dukje edhe ndryshimet që ka pësuar skuadra nga java në javë, derisa pret afrimin drejt kreut të tabelës për të forcuar më pas organikën në afatin kalimtar të janarit.

“E dimë që na pret derbi nesër kundër Ballkanit në Suharekë, pa marrë parasysh gjendjen e ekipit kundërshtar, ata kanë potencial brenda grupit, kanë futbollistë mjaft cilësorë, futbollistë që kanë shijuar tituj dhe nuk do të jetë aspak e lehtë për ne, por jemi munduar që këto dy javë t’i përmirësojmë gabimet që na kanë ndodhur gjatë ndeshjeve të zhvilluara dhe të jemi sa më të përgatitur për ndeshjen e radhës, jo vetëm për ndeshjen e radhës, por deri në ndeshjen e fundit të këtij stinori vjeshtor, por ne do të përqendrohemi më tepër te puna jonë, te loja jonë, identiteti ynë, që avash-avash po e marrim ashtu siç unë dua, dhe shpresoj që të kthehemi me rezultat pozitiv nga Suhareka”, deklaroi Ramadani.

App logo