Raporti | Gjilani 2:1 Ballkani - SC GJILANI

Raporti | Gjilani 2:1 Ballkani

Ekipi ka reaguar mjaft mirë pas eleminimit nga garat e kupës, derisa është përgjigjur me fitore kampionale këtë fundjavë ndaj Ballkanit (2:1).

Ndeshja nuk nisi mirë për ekipin që vuajti në minutat e para të ndeshjes dhe duroi rastet e Marsel Ismajlgecit në minutën e tretë të takimit, i cili goditi traversën nga ndërperja dhe Sunday Adetunji në minutën e 12-të, goditjen e të cilit e priti Kenan Haxhihamza.

Rastin më të mirë për “kuqebardhët” në fraksionin e parë të lojës e pati sulmuesi Almir Aganspahic, i cili gjuajti bukur me kokë pas harkimit nga e majta të Yll Ibrahimit, mirëpo që goditja e tij u ndalua nga ‘gardiani’ mysafir Artan Iljazi (Minuta e 6-të).

Një pakujdesi në repartin e mbrojtjes i kushtoi skuadrës në minutën e 41-të të ndeshjes, derisa Bleart Tolaj ndëshkoi me një gjuajtje të sakt nga afërsia (0-1).

Me epërsinë e udhëtuesve u mbyllën 45 minutat e para të ndeshjes.

Në fraksionin e dytë të lojës gjithçka foli në favor të ekipit vendas. Në aksionin e parë të ndërtuar rrjedhshëm në minutën e 46-të të takimit, Edi Basa gjuajti me kokë jashtë portës nga një pozitë ideale për të realizuar.

Pesë minuta më pas, me kokë gjuajti edhe Kushtrim Shabani pas harkimit të Yll Ibrahimit, por sërish Iljazi në nivel të detyrës duke e dëbuar topin në fundore.

Goli i barazimit erdhi në minutën e 63-të të ndeshjes, derisa Senad Jarovic e konvertoi në gol penaltinë e fituar nga Albin Prapashtica një minutë më herët (1-1).

Iniciativa për ta kërkuar golin e radhës ishte evidente me Albin Prapashticën dhe Senad Jarovic që tentuan në vazhdimësi për të realizuar.

Gjithë angazhimi i skuadrës u shpërblye në minutën e katërt shtesë, derisa Senad Jarovic e orientoi topin drejt rrjetës pas asistimit të Kushtrim Shabanit brenda zonës (2-1).

Minutat e mbetura shtesë ishin një formalitet që do ta legalizonte fitoren e shtatë kampionale të gjilanasve, të cilët triumfojnë një tjetër ndeshje të dominuar dhe shumë të merituar.

SC Gjilani 2-1 FC Ballkani
Golashënues: Senad Jarovic 63′ [1-1], 90+4 [2-1]
Të ndëshkuar: Senad Jarovic, Albin Prapashtica, Armend Thaqi
Gjyqtarë: Alban Shala, Fatmir Sekiraqa, Drilon Rexhepi, Erdall Zasella (Var), Gëzim Mehmeti (aVar)
Stadiumi ndihmës në Gjilan

Përbërja: Haxhihamza, Thaqi, Roganovic, Arago, Ibrahimi,  Taipi (90+4′ Bilali), Shabani, Bilalli (46′ Prapashtica), Basa (73′ Kqiku), Aganspahic (73′ Morina), Jarovic. Kryetrajner: Ardian Nuhiu.