Ardian Nuhiu ka falenderuar drejtuesit e klubit, futbollistët dhe gjithë stafin për bashkëpunimin që ka patur gjatë kohës sa ka qëndruar në pozitën e kryetrajnerit të ekipit.
Nuhiu është përshëndetur me futbollistët në seancën stërvitore të ditës së hënë, derisa ka lënë një mesazh me gjithë opinionin.
“Si njeri që e kam bazuar gjithmonë karrierën time mbi parime dhe vlera, kam vendosur të përfundoj kontratën time. Kam dhënë maksimumin tim në çdo moment bashkë me stafin dhe skuadrën kemi punuar me përkushtim të plotë, por në disa raste ka munguar edhe fati sportiv. Besoj se në jetë vlerat, respekti dhe vlerësimi i duhur për situata si kjo kanë më shumë rëndësi sesa thjesht një kontratë.
Kam shumë besim te këta djem dhe e di se ata do të vazhdojnë të japin gjithçka. Megjithatë, gjatë gjithë jetës sime kam synuar të jem korrekt, i sinqertë dhe i ndershëm, ndaj mendoj se ky është momenti i duhur për të dhënë dorëheqjen.
E marr këtë vendim nga respekti i madh për një klub kaq të rëndësishëm dhe me histori si Gjilani. Nuk arrita të transmetoj plotësisht atë që dëshiroja për këta djem që kanë dhënë maksimumin në çdo stërvitje, edhe pse në ndeshje mund të kishte pasur rezultate më të mira.
Dua të falënderoj nga zemra presidentin, drejtorin,drejtuesit menaxherial, stafin tim, stafin mjeksor, ekonomët e klubit , futbollistët dhe tifozët e mrekullueshëm për mbështetjen dhe besimin. Gjilani ka objektiva të mëdha dhe po bën një punë të shkëlqyer për të ecur përpara dhe unë do të jem mbështetës”.