Seanca stërvitore e planifikuar të mbahej në mëngjesin e së mërkurës është anuluar.
Futbollistët kanë qenë të rënduar emocionalisht pas lëndimit të rëndë të cilin e pësoi bashkëlojtari i tyre Oltion Bilalli në fushën e lojës kundër Malishevës.
Bilalli është inkuadruar në minutën e 78-të të ndeshjes derisa ka zëvendësuar futbollistin Albin Prapashtica dhe vetëm pas dhjetë minutave lojë është detyruar të largohet, por jo me dëshirën e tij. Një përplasje brenda zonës me portierin Ilir Avdyli dhe mbrojtësin Arbër Pira ka qenë fatale për futbollistin Bilalli, i cili ka mbetur pa ndjenja në fushën e lojës. Falë intervenimit të stafit mjekësor të klubit me në krye Dr. Arben Bislimi, Dr. Argjil Shkodrën dhe asistencën e ofruar nga stafi tjetër mjekësor Kushtrim Syla, Genc Rexhepi dhe Fisnik Zubaku i ka shpëtuar më të keqës.
Pas incidentit dhe dhënies së ndihmës së nevojshme në fushë, ai u trajtua në Spitalin Rajonal të Gjilanit dhe më pas u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për kujdes të avancuar.
Ekipi do të rikthehet në aktivitet në pasditen e së enjtes.