Raporti | Gjilani 0:0 Malisheva - SC GJILANI

Raporti | Gjilani 0:0 Malisheva

Dueli ndërmjet Gjilanit dhe Malishevës ka kaluar nën hijen e lëndimit të rëndë të futbollistit Oltion Bilalli, i cili pas një përplasje me portierin kundërshtar Ilir Avdyli ka mbetur i shtrirë në fushën e lojës dhe në pritje për tu zgjuar sërish.

Bilalli është inkuadruar në minutën e 78-të të ndeshjes derisa ka zëvendësuar futbollistin Albin Prapashtica dhe vetëm pas dhjetë minutave lojë është detyruar të largohet, por jo me dëshirën e tij. Një përplasje brenda zonës me portierin Ilir Avdyli dhe mbrojtësin Arbër Pira ka qenë fatale për futbollistin Bilalli, i cili ka mbetur pa ndjenja në fushën e lojës. Falë intervenimit të stafit mjekësor të klubit me në krye Dr. Arben Bislimi, Dr. Argjil Shkodrën dhe asistencën e ofruar nga stafi tjetër mjekësor Kushtrim Syla, Genc Rexhepi dhe Fisnik Zubaku i ka shpëtuar më të keqës.

Pas incidentit dhe dhënies së ndihmës së nevojshme në fushë, ai u trajtua në Spitalin Rajonal të Gjilanit dhe më pas u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për kujdes të avancuar.

Bilalli ka pësuar gjakderdhje të brendshme në kokë, por është jashtë rrezikut për jetën. Aktualisht, ai ndodhet në Mjekimin Intensiv Qendror, ku është nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor.


Pjesa tjetër e ndeshjes ka qenë e kontestuar vazhdimisht nga vendimet e gjyqtarit kryesor Visar Kastrati dhe asistentit Ilir Mehmeti nga dhoma e VAR.

Dy gjyqtarët kanë arritur të marrin protagonizmin kryesor të ndeshjes duke qenë në qendër të vëmendjes në çdo situatë diskutabile, madje edhe në momentin kur futbollistit Bilalli ka mbetur pa ndjenja në fushën e lojës.

Gjilani 0:0 Malisheva
Të ndëshkuar: Edi Basa, Shqiprim Taipi, Yll Ibrahimi, Arago Jamal
Gjyqtarë: Visar Kastrati, Fatmir Sekiraqa, Kastriot Peci, Rrezart Hasani, Ilir Mehmeti (Var), Fatlum Berisha (Avar)
Stadiumi ndihmës në Gjilan

Përbërja: Bllaca, Kqiku (C), Roganovic, Arago, Ibrahimi, Taipi (46′ Rrahmani), Shabani, Basa, Prapashtica (78′ Bilalli – 87′ Morina), Aganspahic, Jarovic. Kryetrajner: Ardian Nuhiu