Skuadra pëson sërish në udhëtim, teksa këtë herë mposhtet nga Drenica në “Bajram Aliu” të Skenderajt me rezultat 2-1, ndeshje e cila u vendos në 45 minutat e para.
- Gol fantazmë i Ukës
- Morina realizon super gol
- Pozitë e dyshimtë jashtë loje për golin që solli barazimin
- Llapi kundërshtari i radhës në shtëpi
Një tjetër disfatë që me shumë gjasë përfundon edhe objektivin Evropa. Ekipi bëri gjithçka në Skenderaj për tu kthyer me gjah, mirëpo pa sukses, pasi që ndeshja përfundoi brenda 45 minutave të para të lojës.
Një gol tejet i dyshimtë u pranua nga gjyqtari kryesor Alban Shala, teksa Anteo Osmanllari futi topin brenda zonës pasi kishte kaluar vijën fundore, me Kreshnik Ukën, i cili realizoi në portën e zbrazët. Fillimisht asistenti Drilon Rexhepi sinjalizoi për rivënie fundore, mirëpo Shala pas rishikimit të sistemit VAR vendosi që golin ta pranonte (1-0). Ndodhi kjo në minutën e 29-të të ndeshjes.
Në aksionin tjetër, vendasit e dyfishuan rezultatin, teksa Eneid Kodra e shfrytëzoi në maksimum një dalje jo të studiuar mirë të Vokli Laroshit dhe e orientoi topin drejt rrjetës për rezultatin 2-0.
Në fundin e pjesës së parë Blerind Morina provoi të realizonte nga distanca, mirëpo mbi portë.
I njejti futbollist e gjeti cakun në fraksionin e dytë të lojës, teksa në minutën e 51-të realizoi njërin ndër golat më të bukur të kampionatit për ta ngushtuar rezultatin 2-1.
Skuadra e gjeti edhe golin e barazimit përmes kapitenit Armend Thaqi, mirëpo që u anulua me pretekstin e pozitës jashtë loje më parë me rastin e pranimit të topit nga Albin Prapashtica, imazhe të cilat e vërtetuan të kundërtën.
Deri në fundin e ndeshjes, ekipi pati edhe disa mundësi të tjera shënimi përmes Senad Jarovic e Blerind Morinës, mirëpo që rezultati nuk ndryshoi.
Ndeshjen e radhës, Gjilani e luan në shtëpi ndaj Llapit.
Të dhënat
FC Drenica – SC Gjilani 2-1 (2-0)
Stadiumi “Bajram Aliu” në Skenderaj
Gjyqtar: Alban Shala, Bekim Rama, Drilon Rexhepi, Valon Bajgora, Granit Pacolli (VAR), Pashtrik Burrniku (AVAR)
Golashënues: Kreshnik Uka 29′, Eneid Kodra 37′ | Blerind Morina 51′
Të ndëshkuar: Ronaldo Chacon, Igball Jashari, Anteo Osmanllari | Lorik Boshnjaku, Udoyen Akpan
Përbërja: Laroshi, Ar. Thaqi (C), Adili, As.Thaqi (45′ Rrahmani), Ibrahimi (82′ Akpan), Bilali, Boshnjaku (82′ Namani), Taipi (45′ Prapashtica) Morina, Bilalli, Jarovic. Trajner: Orhan Abdi
