Raport | Gjilani 0-0 Krumovgrad - SC GJILANI

Raport | Gjilani 0-0 Krumovgrad

Me rrjeta të heshtura ka përfunduar dueli kontrollues përballë ekipit bullgar FC Krumovgrad (0-0).

Takimi u zhvillua në reshje të mëdha shiu dhe me frymë në kompleksin “Fanatic” në Belek. Me formacion të kombinuar, kryetrajneri Ardian Nuhiu e nisi ndeshjen dhe më pas bëri ndryshimet e nevojshme për t’i dhënë minutazh thuajse gjithë futbollistëve.

Pjesa e parë ishte e baraspeshuar me dy skuadrat që kërkonin golin, por pa patur shumë sukses. Mundësi të mirë shënimi i’u ofru kapitenit Edison Kqiku në minutën e 38-të të ndeshjes, por që goditja e tij u ndal nga ‘gardiani’ i skuadrës që në këtë rast ishte në rolin e mysafirit.

Rast të mirë shënimi pati edhe Nasko Milev, ish-futbollisti i Gjilanit, i cili aktualisht luan te Krumovgrad, por që goditja e tij shkoi pranë shtyllës së mbrojtur nga Aridon Bllaca.

Fraksioni i dytë i lojës ishte më energjik, sikurse nga loja, po ashtu edhe nga rastet për shënim. Nga zëvendësimet e bëra Senad Jarovic pati mundësinë më të mirë shënimi në minutën e 60-të të ndeshjes, por që goditja e tij shkoi pranë portës.

Armend Thaqi provoi nga ndërprerja në minutën e 80-të të duelit, por pa sukses, pasi që goditja e tij u dëbua në fundore nga portieri bullgar me shumë vështirësi.

Ndeshja përfundoi me rezultatin e barabartë (0-0), e dyta radhazi që nuk prodhon fitues për “kuqebardhët” në tokën turke. Në vazhdim skuadra do ta zhvilloj edhe duelin e fundit kontrollues më 28 janar, para se të rikthehet në Kosovë.