Raporti | Gjilani 0:0 Drita - SC GJILANI

Raporti | Gjilani 0:0 Drita

Skuadra ndalet me një barazim nga rivali lokal i qytetit, teksa luan një 90 minutësh pa gola, por me raste të shumta për shënim.

Megjithë insistimin e ekipit për të ardhur në shprehje duke kërkuar golin nga minuta e parë, rasti i parë serioz u takoi skuadrës që këtë ndeshje ishte në cilësinë e mysafirit.

Albert Dabiqaj provoi të qëllonte portën pas një goditje me kokë, por goditja e tij shkoi mbi traversë (12′).

Mundësia e parë serioze për “kuqebardhët” erdhi në minutën e 36-të të ndeshjes, derisa sulmuesi Almir Aganspahic gjuajti mbi portë pasi u shërbye bukur brenda zonës nga Armend Thaqi.

Mundësi tjetër e mirë iu tregua sulmuesit Aganspahic, veçse në fraksionin e dytë të lojës. Sulmuesi boshnjak goditi me kokë nga afërsia, por sërish mbi traversë (46′).

Golin Aganspahic e gjeti në minutën e 68-të, derisa realizoi me kokë pas harkimit të Albin Prapashticës, mirëpo pas rishikimit të dhomës së VAR-it, goli u anulua për pozitë jashtë loje.

Raste të mira shënimi pati edhe sulmuesi tjetër boshnjak Senad Jarovic. Fillimisht në minutën e 80-të të ndeshjes goditi bukur topin me kokë, por goditjen e tij e priti Florjan Smakiqi.

Jarovic gjuajti me të djathtën brenda zonës edhe në minutën e 89-të të ndeshjes, por ishte sërish Smakiqi ai i cili ia mohoi golin.

Mundësinë e fundit në ndeshje e pati zëvendësuesi Kushtrim Shabani, i cili përfitoi nga një top i kthyer brenda zonës nga Almir Aganspahic, por goditjen e tij e priti Florjan Smakiqi.

Ndeshja përfundoi me rezultat të barabartë për herë të dytë në këtë edicion garash, por këtë herë pa gola.

Gjilani 0:0 Drita
Të ndëshkuar: –
Gjyqtarë: Genc Nuza, Edmond Zeqiri, Altin Zhegrova, Bardh Ajeti, Vigan Ibërdemaj (VAR), Arbnor Bullatovci (AVAR)
Stadiumi ndihmës në Gjilan

Përbërja: Bllaca, Thaqi (C), Roganovic, Arago, Ibrahimi, Taipi, Bilali (46′ Shabani), Rrahmani, Kqiku (61′ Prapashtica), Basa (72′ Jarovic),  Aganspahic. Kryetrajner: Ardian Nuhiu