Skuadra lëshon një mundësi të mirë për të dalë me një tjetër triumf në kampionat, derisa pëson në shtëpi në minutat e fundit nga Llapi.
Ekipi nisi ndeshjen mirë dhe tentoi të krijonte në vazhdimësi, mirëpo rastin e parë serioz në ndeshje e patën mysafirët, derisa goditën shtyllën përmes Ardit Tahirit në minutën e 20-të të ndeshjes.
Almir Aganspahic pati rastin më të mirë në fraksionin e parë për skuadrën vendase, por goditjen e tij e priti ‘gardiani’ Marjan Coric. Ndodhi kjo në minutën e 40-të të ndeshjes.
Fraksioni i parë i lojës përfundoi me rrjeta të heshtura, derisa golat ishin të rezervuar për pjesën e dytë.
Në fillimin e pjesës së dytë rrezikuan mysafirët përmes Elvir Gashijanit, mirëpo goditjen e tij e priti ‘gardiani’ Kenan Haxhihamza.
Goli i parë në ndeshje erdhi pas një aksioni model të nisur nga Arago Jamal dhe Yll Ibrahimi, teksa ky i fundit shërbeu në mënyrë maestrale Edi Basan brenda zonës, i cili gjuajti me saktësi dhe realizoi për ta zhbllokuar ndeshjen (1-0). Ishte minuta e 62-të e ndeshjes.
Vetëm tre minuta më pas, Edi Basa pati një rast ideal për ta dyfishuar rezultatin, mirëpo goditja e tij përfundoi jashtë portës.
Mundësi për të realizuar pati edhe Albin Prapashtica në minutën e 70-të të ndeshjes, mirëpo goditja e tij shkoi pranë shtyllë pingule.
Pas këtyre rasteve moskonkretizimi, skuadra u dënua rëndë. Fillimisht Ardit Tahiri barazoi rezultatin në minutën e 82-të të ndeshjes, ndërkohë më pas Arianit Hasani kaloi miqtë në epërsi duke shfrytëzuar një pakujdesi të repartit defansiv, në minutën e 86-të të ndeshjes.
Megjithatë, ekipi nuk u dorëzua dhe në minutën e katërt shtesë barazoi rezultatin përmes Armend Thaqit (2-2). Anësori i vendasve qëlloi në këndin e djathtë të Coric pasi u shërbey bukur nga Senad Jarovic.
Aksioni vijues ishte përcaktues për epilogun final të ndeshjes, derisa mysafirët fituan një penalti tejet diskutabile, pasi që gjyqtari kryesor Visar Kastrati sinjalizoi një lojë të parregullt të Besir Ramadanit brenda zonës. Nga rrethi i bardhë në minutën e shtatë shtesë ishte Ardit Tahiri për ta vendosur epilogun final të ndeshjes (2-3).
Gjilani 2-3 Llapi
Golashënues: Edi Basa 62′, Armend Thaqi 90+4′
Të ndëshkuar: Besir Ramadani, Shqiprim Taipi
Gjyqtarë: Visar Kastrati, Granit Hyseni, Hekuran Osmani, Granit Pacolli, Lirim Jashari (VAR), Besnik Morina (Avar)
Stadiumi ndihmës në Gjilan
Përbërja: Haxhihamza, Thaqi (C), Roganovic (24′ Ibrahimi), Ramadani, Arago, Taipi, Shabani, Rrahmani (66′ Bilali), Basa (66′ Kqiku), Bilalli (’53 Prapashtica), Aganspahic (66′ Jarovic). Kryetrajner: Ardian Nuhiu