Skuadra ka zhvilluar njërën ndër ndeshjet më të mira të këtij sezoni dhe me shumë sukses ka mbyllur me fitore sfidën ndaj Suharekës (3:0).
Rasti i parë në ndeshje iu ofrua mysafirëve të cilët rrezikuan përmes sulmuesit Mevlan Zeka në minutën e gjashtë të lojës, mirëpo goditja me kokë e sulmuesit shkoi mbi traversë.
Kundërpërgjigja erdhi shpejtë nga radhët e vendasve, derisa Edi Basa gjujti në mënyrë fantastike në minutën e 12-të pas një bashkëveprimi me sulmuesin Senad Jarovic, mirëpo goditja shkoi mbi portë.
Mundësi të mirë shënimi pati edhe Kushtrim Shabani, mesfushori i kuqebardhëve i cili pranoi një harkim nga Armend Thaqi nga krahu i djathtë në minutën e 18-të, mirëpo nuk arriti ta dërgonte topin drejt rrjetës.
Deri në fundin e pjesës së parë vendasit rrezikuan edhe përmes sulmuesit Senad Jarovic, por goditja e tij shkoi mbi portë (39′).
Fraksioni i dytë i lojës ishte edhe me më shumë raste dhe mbi të gjitha me gola të shënuar. Në aksionin e parë serioz, të besuarit e Ardian Nuhiut gjetën rrugën drejt golit, derisa Senad Jarovic pranoi një top fantastik nga Albin Prapashtica dhe me një gjuajtje të saktë realizoi për ta zhbllokuar ndeshjen 1-0 (50′).
Goli i dytë erdhi menjëherë pas dhjetë minutave, derisa Aridon Bllaca nisi një kundërzbritje të shpejtë duke pasuar për Jarovic, ky i fundit vazhdoi topin në krahun e djathtë për Armend Thaqin, i cili harkoi për mrekulli brenda zonës për Blerind Morinën që realizoi me kokë 2-0 (60′).
Për ti vënë epilogun final kësaj sfide u përkujdes sulmuesi Senad Jarovic, i cili shfrytëzoi në maksimum një harkim të Armend Thaqit nga ndërprerja për të realizuar 3-0 (77′).
Një përplasje ndërmjet Oltion Bilallit të sapoinkuadruar dhe futbollistit të ri Fuad Ajvazi ka shqetësuar dy kampet, mirëpo pas intervenimit të stafit mjekësor gjendja e dy futbollistëve është stabilizuar.
Ndeshja përfundoi pa shumë histori me skuadrën që merr fitoren e njëmbëdhjetë sezonale.
Gjilani 3:0 Suhareka
Golashënues: Senad Jarovic 50′, 77′, Blerind Morina 60′
Të ndëshkuar: Shqiprim Taipi, Edi Basa, Yll Ibrahimi
Gjyqtarë: Lirim Jashari, Fatmir Sekiraqa, Bekim Rama, Ilir Mehmeti, Alban Shala (Var), Arbnor Bullatovci (Avar)
Stadiumi ndihmës në Gjilan
Përbërja: Bllaca, Thaqi (C), Roganovic, Arago (45′ Ramadani), Ibrahimi, Taipi (79′ Bilali), Shabani, Rrahmani (45′ Morina), Basa (85′ Kqiku), Prapashtica (85′ Bilalli), Jarovic. Kryetrajner: Ardian Nuhiu