Gjilani 1-1 Ferizaj | AlbiMall Superliga - SC GJILANI

Gjilani 1-1 Ferizaj | AlbiMall Superliga

Skuadra është ndalur në barazim nga Ferizaj në minutën e 13′-të shtesë, duke shpërdoruar kështu një tjetër mundësi drejt garës për zonën evropiane.

  • Senad Jarovic rigjen sërish golin
  • Penalti diskutabile në minutën e 13-të shtesë
  • Barazimi i nëntë sezonal
  • Gara për Evropën drejt fundit

Pavarësisht që ekipi pati epërsinë deri në sekondat e fundit të ndeshjes, ndëshkimi erdhi pas një penalti diskutabile të akorduar nga kryesori Burim Jahmurataj.

Ekipi i Debatik Currit ishte shumë më i mirë se kundërshtari nga fillimi i ndeshjes, deri në mbarim, duke krijuar raste për shënim dhe duke realizuar një herë tjetër.

Edi Basa pati mundësinë e parë në minutën e 15-të të ndeshjes për të realizuar, por goditjen e tij e priti në mënyrë fantastike ‘gardiani’ udhëtues.

Në fundin e fraksionit të parë, i njejti futbollist provoi të realizonte sërish, por goditja e tij u ndal nga Kai John Oliver.

Pjesa e dytë e ndeshjes ishte tejet më interesante, derisa pati gola, raste dhe ndëshkime të pafundme. Fillimisht Betim Haxhimusa realizoi në minutën e 67-të të ndeshjes, por që goli i tij u anulua, pasi që paraprakisht futbollisti Erion Sadriu kishte shkelur me këmbë futbollistin Lorik Boshnjaku.

I inkuadruari në lojë Udoyen Akpan gjuajti me kokë brenda zonës në minutën e 82-të të ndeshjes, por goditja e tij shkoi mbi portë.

Goli erdhi një minutë më pas, derisa Senad Jarovic e dërgoi sferën brenda rrjetës, pasi që u shërbey bukur nga Edi Basa për ta zhbllokuar ndeshjen (1-0).

Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, gjyqtari Burim Jahmurataj edhe njëherë tjetër doli në skenë, duke akorduar një penalti të dyshimtë, pas goditje së Bekima me kokë dhe kontaktit të ‘gardianit’ Kolaj, i cili e priti penaltinë e Erion Sadriut, por topin e kthyer në zonë nga Peposhi e dërgoi Bekima drejt rrjetës (1-1).

Ndeshja u mbyll me barazim me objektivin që tani venitet jashtëzakonisht shumë. Në xhiron e ardhshme Gjilani luan në udhëtim te Drenica.

Të dhënat

SC Gjilani – FC Ferizaj 1-1 (0-0)
Stadiumi sintetik në Gjilan
Gjyqtar: Burim Jahmurati, Edmond Zeqiri, Besnik Morina, Kujtim Krasniqi, Alban Shala (VAR), Bajram Kabashi

Golashënues: Senad Jarovic 83′ | Bekima Kouch 90+13′
Të ndëshkuar: Besart Krivanjeva, Edi Basa, Senad Jarovic, Agron Kolaj | Filip Gligorov, Betim Haxhimusa, Jakup Berisha, Kai John Oliver, Erion Sadriu, Ardit Iljazi, Qlirim Avdulli, Alban Shabani, Bekima Kouch, Ergys Peposhi, Kushtrim Shabani
Përbërja: 
Kolaj, Ar. Thaqi (C), Adili, Krivanjeva (81′ Thaqi), Ibrahimi, Boshnjaku (73′ Taipi), Rrahmani (73′ Totre), Morina (81′ Prapashtica), Basa, Bilalli (81′ Akpan), Jarovic.  Trajner: Debatik Curri.