Skuadra është ndalur në udhëtim te Malisheva, duke pësuar humbjen e parë në stinorin pranveror, madje të hidhur për nga mënyra se si erdhi.
Pavarësisht se ekipi kërkoi me ngulm golin nga minutat e para të takimit, mundësia e parë për të shënuar iu ofrua Oltion Bilallit në minutën e 30-të të ndeshjes, derisa u gjend në pozitë ballore me Ilir Avdylin, por goditja e tij u prit nga ‘gardiani’ vendas.
Vendasit rrezikuan përmes Drilon Hazrollaj në minutën e 37-të të ndeshjes, teksa futbollisti vendas gjuajti nga ndërprerja, por topi u ndal në shtyllën pingule.
Në minutat e fundit të pjesës së parë erdhi edhe ndëshkimi. Nga një faull inekzistent për vendasit, vjen një harkim i Hazrollajt brenda zonës, teksa Arbër Prekazi realizon nga afërsia prapa Kenan Haxhihamzës (1-0).
Me epërsinë minimale të vendasve u mbyllën 45 minutat e para të lojës.
Histori e njejtë edhe në pjesën e dytë të lojës. Ekipi hidhet në sulm që nga minutat e para, por e pëson në daljen e parë të vendasve. Altin Aliu përfiton nga një harkim i Donat Vitias brenda zonës dhe dyfishon rezultatin në minutën e 55-të të ndeshjes (2-0).
Megjithatë, pavarësisht golave të pësuar, ekipi nuk u dorëzua dhe dhjetë minuta më pas arriti ta ngushton epërsinë. Oltion Bilalli përfiton nga një top i kthyer brenda zonës dhe me ndihmën e Vitias realizon (2-1).
Vetëm dy minuta më pas Shqiprim Taipi provoi nga jashtë zonës për ta barazuar rezultatin, mirëpo goditja e tij shkoi mbi traversë.
Pas Taipi provoi edhe i inkuadruari në lojë Almir Aganspahic, mirëpo goditja e tij shkoi mbi portë. Ndodhi kjo në minutën e 73-të të lojës.
Pas shumë përpjekjeve për ta gjetur golin e barazimit erdhi sërish ndëshkimi. Një pakujdesi në repartin e mbrojtjes ndërmjet Marko Roganovic dhe Yll Ibrahimit përfitoi brenda zonës Alti Aliu i cili realizoi sërish në minutën e 82-të të ndeshjes (3-1).
Aliu mori një tjetër dhuratë në minutën e 85-të të ndeshjes derisa portieri Kenan Haxhihamza ia dorëzoi topin para këmbëve dhe sulmuesi i vendasve nuk e pati të vështirë të qëllonte në portën e zbrazët (4-1).
Pjesa tjetër e ndeshjes ishte formalitet, me skuadrën që merr humbjen e parë në stinorin pranveror.
Malisheva 4-1 Gjilani
Golashënues: Oltion Bilalli 65′
Të ndëshkuar: Shqiprim Taipi, Kushtrim Shabani, Edison Kqiku
Gjyqtarë: Mentor Ajeti, Besnik Morina, Bajram Kabashi, Përparim Jakupi, Dardan Çaka (Var), Arbnor Bullatovci (Avar)
Stadiumi: “Liman Gegaj” Malishevë
Përbërja: Haxhihamza, Kqiku (C), Arago, Roganovic, Ibrahimi, Taipi (80′ Bilali), Shabani (60′ Morina), Basa (80′ Alisson), Bilalli, Prapashtica (60′ Aganspahic), Jarovic. Kryetrajner: Ardian Nuhiu