Raporti | Prishtina 1:2 Gjilani - SC GJILANI

Raporti | Prishtina 1:2 Gjilani

Me zemrën dhe grintën e Oltion Bilallit, skuadra performoi në mënyrë të jashtëzakonshme në duelin ndaj Prishtinës në “Fadil Vokrri” duke triumfuar me shifrat 2-1.

Duke lansuar mesazhet mbështetëse për Oltion Bilallin, futbollistët e Gjilanit u futën në fushën e lojës më të motivuar si asnjëherë më parë, derisa me shumë meritë regjistruan një fitore të radhës që mbanë gjallë ëndrrën evropiane.

Seriozitetin dhe dëshirën për fitore grupi e tregoi qysh në minutat e para të ndeshjes, derisa shënuan në mundësinë e parë serioze. Edison Kqiku përfitoi nga një pasim brenda zonës nga Sabit Bilalli dhe me një gjuajtje të saktë nga krahu i djathtë i mbrojtjes realizoi për ta zhbllokuar rezultatin (0-1).

Ndodhi kjo në minutën e 12-të të lojës.

Pavarësisht golit të realizuar, skuadra mbajti ritmin dhe kontrolloi gjithë pjesën e parë, duke tentuar edhe në disa mundësi të tjera për ta gjetur rrugën drejt portës.

Megjithatë, shifrat mbetën të pandryshuara deri në përfundimin e pjesës së parë.

Në fraksionin e dytë të lojës, ishin sërish mysafirët të cilët tentuan dhe rrezikuan portën e Agron Kolajt Sulmuesi Almir Aganspahic realizoi bukur me kokë pas harkimit të Armend Thaqit në minutën e 48-të të ndeshjes, mirëpo goli i anulua për shkak të një pozicioni jashtë loje, i cili ishte tejet i dyshimtë.

Tre minuta më pas, vendasit gjetën golin e barazimit, derisa sulmuesi Alex Gnapi përfitoi nga një pakujdesi e mbrojtjes udhëtuese dhe shfrytëzoi rastin për ta barazuar rezultatin (1-1).

Goli i vendasve veçse nxiti të besuarit e Ardian Nuhiut për të kërkuar shpejtë golin që do ta rikthente epërsinë. Një mundësi ideale për ta bërë një gjë të tillë e pati zëvendësuesi Kushtrim Shabani, i cili në minutën e 59-të ishte i vetëm me ‘gardianin’ Kolaj që priti goditjen e tij.

Pas disa tentimeve për të realizuar, “kuqebardhët” gjetën golin e shumë kërkuar përmes sulmuesit kryesor Senad Jarovic, i cili realizoi me kokë pas harkimit të Armend Thaqit në minutën e 81-të të ndeshjes (1-2).

Deri në fundin e ndeshjes vendasit provuan për ta barazuar rezultatin, mirëpo që nuk arritën ta bënin një gjë të tillë, pavarësisht që Dion Gallapeni ka munduar ta bëj një gjë të tillë në minutën e parë shtesë, por goditja e tij shkoi mbi portë.

Gjilani merr një fitore tejet të rëndësishme në garën për dalje në Evropë, derisa në xhiron e ardhshme përballet me rivalin lokal Drita në shtëpi.

 

Prishtina 1:2 Gjilani
Golashënues: Edison Kqiku 12′, Senad Jarovic ’81
Të ndëshkuar: Almir Aganspahic, Aridon Bllaca
Gjyqtarë: Bardh Ajeti, Alban Ejupi, Zgjim Rahimi, Dylot Brahimi, Vigan Ibërdemaj (Var), Faton Jakupi (Avar)
Stadiumi “Fadil Vokrri” – Prishtinë

Përbërja: Bllaca, Thaqi (C), Roganovic, Arago, Ibrahimi, Taipi, Bilali (59′ Shabani), Rrahmani (59′ Morina), Kqiku (86′ Krasniqi), Prapashtica (76′ Ramadani),  Aganspahic (76′ Jarovic). Kryetrajner: Ardian Nuhiu